Ekskluzive/ “Në Turqi na thanë se askush tjetër nuk e përsërit dot historinë tonë”, flet kapiteni shqiptar që ngjiti ekipin në elitë: Nuk e keni idenë sa po flitet…

Eduart Rroca ia ka dalë! Mesfushori shqiptar, me shiritin e kapitenit në krahë, ka ngjitur Instabulsporin në elitën e futbollit të Turqisë. Askush nuk besonte se kjo skuadër do të renditej mes më të mirave. Madje edhe vetë Rroca kishte shumë dyshime pasi Instabulspori kishte shumë lojtarë të rinjë. Nga krahu tjetër ekipet e tjera ishin më të forta në përbërje dhe më shumë buxhet në dizpozicion. Por kjo nuk mjaftoi dhe ekipi i shqiptarëve të Instabulsporit arriti ngjitjen historike. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Rroca tregon se çfarë po flitet në Turqi për këtë sukses.

“Kjo ishte diçka e pabesueshme dhe shumë e bukur. E kërkuam gjithë vitin ngjitjen në elitë, nuk ia dolëm, pastaj erdhëm në rrugën e Play Off. Në gjysmëfinale kishim një kundërshtar të vështirë që të gjithë i quanin ata favorit. Kemi bërë surprizën, kaluam në finale, ku edhe këtë herë nuk ishim favorit. Zhvilluam një finale siç në fakt luhen finalet, për t’u fituar dhe jo për të luajtur bukur. Jemi shumë të lumtur për çdo gjë. Kjo nuk është pak, më beso. Nuk e keni idenë sesa po flitet në Turqi për këtë ngjitje të Instabulsporit.

Duke parë buxhetet e ekipeve të tjera, duke parë lojtarët e ekipeve të tjera, duke parë organizimin e ekipeve të tjera, kemi bërë një gjë që nuk e ka arritur askush para nesh. Siç e thonë të gjithë, askush nuk ka për ta arritur as pas nesh. Ndjenja është e papërshkrueshme, sidomos edhe për mua që jam kapiten i ekipit. Pas gjithë asaj mungese të gjatë për shkak të dëmtimit, mbërriti ky sukses”, tha Rroca. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *