19 gola të shënuara me Tirolin ishin surpriza më e madhe që erdhi nga Xhakomo Vrioni. Një befasi për vetë faktin se në të gjithë eksperiencat e mëparshme, sulmuesi ka shënuar pak gola.
Por si arriti deri këtu? Në një intervistë të fundit për mediat italiane, lojtari tregon se stërvitej dhe kur iknin të gjithë të tjerët për të përmirësuar goditjet në portë. Një zakon i mësuar nga Cristiano Ronaldo, teksa Vrioni iu bashkua asokohe dhe ekipit të parë të Juventusit.
“Qëllimi im është të kthehem te Juventusi, tani ndihem më i gatshëm dhe i pjekur. Do të shohim se çfarë do të vendosin drejtuesit dhe agjenti im Silvio Pagliari. Dushan Vlahovic? Ai nuk duket si një djalë i vitit 2000. Jam befasuar nga “ligësia” para portës e Vlahovic. Pa atë frymë nuk do të shënosh dot 24 gola në Serie A. Këshillat? Me Alvaron lindi një miqësi e bukur, e cila gjithashtu shkon përtej fushës. Por më shumë se këshilla dhe fjalë, kur stërvitesh me kampionë të tillë ajo që ka rëndësi është shembulli.
Vetëm shikoni se si lëvizin dhe si tërhiqen për të mësuar. U përpoqa t’i “vidhja” sa më shumë Cristianos dhe të gjithë të tjerëve. Duke filluar nga qëndrimi, këtë vit, pas stërvitjes me shokët e skuadrës, jam ndalur gjithmonë në fushë për të ushtruar kontrollin e topit dhe goditjet drejt portës. Dhe puna shpërblehet: në 19 golat ka pak nga çdo gjë… djathtas, majtas, kokë dhe madje edhe me gjoks…”, tha Vrioni. /Sport Ekspres/