“Nuk e ndiej veten shqiptar”! Alban Bushi tregon bisedën me një lojtar në Itali: Shqipëria e fokusuar te lojtarët në Angli, për Adolf Selmanin thashë se nuk bëhet…

Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshjet e fundit të muajit qershor në eleminatorit e Europianit për vitin 2023. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë dhe Kosovën, por nuk kanë shanse për të kaluar më tej për shkak të rezultateve të fundit. Ndërkohë Alban Bushi, në konferencën për shtyp të ditës së sotme, ka treguar edhe objektivat për të ardhmen.

“Ne nuk kemi më shanse për të kaluar më tej, por nuk do të tolerojmë. Është fundi i kampionatit dhe lojtarët duan pushime, por u kam thënë lojtarëve se nuk janë Kristiano Ronaldo. Në moshën e tyre tani duhet të bëjnë pak pushime dhe të punojnë shumë. Kemi humbur në dy ndeshjet e fundit edhe nga fati, por nëse do të kishim Kumbullën dhe Brojën, do të dilnim me sukses.

Së fundmi Reja ka marrë disa lojtarë të Shqipërisë U-21 në stërvitje dhe ka thënë se dy-tre prej tyre do të jenë pjesë për sezonin tjetër te Kombëtarja A. Sigurisht që për ne ky është kulmi i pikut të prodhimit te Kombëtarja.

Nëse ne Reja na merr disa lojtarë, prishen edhe ekuilibrat. Por qëllimi ynë është që të prodhojmë sa më tepër lojtarë për Kombëtaren A. Kam folur me një lojtar që luan në Kategorinë e Tretë të Italisë dhe nuk pranoi, tha se nuk e ndiente veten shqiptar. Nuk dua t’ia zbuloj emrin, por do ta tentoj prapë. Le ta pranojmë se për lojtarët shqiptarë ka pak shanse që të thirren nga Italia, ose do të përfundojnë si Durmishaj që iku te Greqia dhe nuk u thirr më.

Ai është i lindur dhe rritur në Itali. Ne do të fokusohemi te kampionati anglez tani, ka shumë shqiptarë atje, do të kemi gjithë fokusin tonë te kampionati i moshave në Angli. Ka disa raste kur lojtarët në moshën 15 vjec kanë super talent dhe më pas ngelin në vend, nuk zhvillohen më. Mund të ndodhi edhe e kundërta. Unë e kam parë Adolf Selmanin para disa vitesh dhe i thashë prindërve të tij se nuk bëhej futbollist. Nuk pashë asnjë cilësi të vetme te ai, por uli kokën, punoi shumë dhe tani po e marrë si shembull të mirë”, tha Bushi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *