“Abissnet Superiore” ka ulur sot siparin për edicionin 2021/2022, i cili i takon Tiranës. Kukësi mposht bardheblutë në “Selmas Stërmasi” me rezultatin 2-3, duke e përfunduar sezonin në vendin e 4-t. Tashmë shpresat e verilindorëve varen nga Kupa e Shqipërisë, ku presin fitoren e Laçit. Ndërsa Vllaznia e sheh këtë kompeticion si shansin e fundit për të prerë një biletë për në Europë. Partizani ka fituar me rezultatin 3-4 kundër Laçit, ndërsa tre pikët i kanë marrë edhe Vllanzia që mposhti Kastriotin 1-3 dhe Egnatia pas sfitores 1-0 ndaj Dinamos. Ndërkohë Teuta nuk ka shkuar më larg se një barazim 0-0 kundër Skënderbeut. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Shehi (Tirana): “Karrierën time nuk kam qenë pjesë e Tiranës, por duke qenë trajner e kam kuptuar se sa klub i madh është. Ka qenë një sezon i lodhshëm. Janë për tu përgëzuar lojtarët, klubi dhe presidenti, që gjtihmonë kanë qenë bashkë për të kurorëzuar këtë sezon. Ka qenë një arritje e madhe. Klubi ka qenë shumë korrekt, shumë serioz. Duhet të jemi serioz në fushë që të qeshim pas ndeshjes. Të përfaqësohemi denjësisht për objektivat maksimale në Kupat e Europës, siç i ka hije këtij klubi të madh. E ardhmja? Kam katër ditë që gjithçka është vendosur. Do të bëhet zyrtare. Unë bëj punë sikur do jem gjithë jetën këtu. Shpresoj që me këtë grup të arrijmë sa më shumë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/