Kategoria Superiore U-19 ka zhvilluar këtë fundjavë ndeshjet e fazës play-off dhe play-out të këtij sezoni. Dhjetë skuadrat e grupeve A dhe B u përballën me njëra-tjetrën në këto faza, play-off dhe play-out, ku u përcaktuan edhe ekipet gjysmëfinaliste dhe skuadrat që do të luajnë në kategorinë e parë u-19 në edicionin e ardhshëm.
Në ndeshjet e fazës play-off, të vlefshme për të përcaktuar skuadrën fituese kombëtare për këtë edicion, Partizani është një nga ekipet që kaloi në gjysmëfinale. Të kuqtë mundën me rezultatin minimal 1-0 Bylisin, në një sfidë mjaft të luftuar. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Hodo në minutën e 81-të të sfidës, gol që i siguroi kryeqytetasve gjysmëfinalen, ku përballë do të kenë skuadrën e Tiranës.
Bardheblutë mposhtën me rezultatin 1-3 ekipin e Skënderbeut. Ndeshja nisi mirë për juglindorët, që kaluan të parët në avantazh me Hysollin. Me nisjen e fraksionit të dytë, Qefalija barazon rezultatin, ndërsa në minutën e 54-t, Karaj kalon në epërsi Tiranën. Pak minuta para fundit të lojës, Nikqi realizon edhe golin e tretë të sfidës, me Tiranën që kalon kështu në fazën tjetër.
Në dy ndeshjet e tjera, Apolonia mundi Akademinë e Futbollit me rezultatin 2-0. Fierakët mbyllën gjithçka që në pjesën e parë, me golat e Topit dhe Lutajt, duke siguruar kështu një biletë për në gjysmëfinale, ku do të përballen me Football Republic.
Këta të fundit fituan me shifrat e thella 4-0 ndaj Vllaznisë, një ndeshje mjaft e fortë nga të dyja ekipet. Kryeqytetasit gjetën golin e epërsisë me Çuçkën në minutën e 8-të të takimit, ndërsa tre golat e tjerë i realizuan në pjesën e dytë me Shibën (2) dhe Zëren.
Play-off U-19, ndeshjet çerekfinale:
KF Partizani 1-0 KF Bylis
KF Skënderbeu 1-3 KF Tirana
FK Apolonia 2-0 Akademia e Futbollit
KF Vllaznia 0-4 Football Republic
Play-off U-19, ndeshjet e fazës gjysmëfinale
FK Partizani – KF Tirana
FK Apolonia – Football Republic