Turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga Federata e Futbollit ka ulur siparin ditën e sotme me tre ndeshjet finale për tre grupmoshat e ndryshme, U-13, U-14 dhe U-15.
Të treja sfidat u zhvilluan në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Tirana – Korça ishte finalja e grupmoshës U-15, sfidë e fituar nga kryeqytetasit me rezultatin 4-2. Në ndeshjen e zhvilluar paraditen e sotme, të dyja skuadrat dhuruan paraqitje mjaft të mira, me ekipin e Tiranës që kaloi në avantazh në harkun kohor të 7 minutave, me dy gola të realizuar nga Emiljano Mihana, në minutën e 8-të dhe 10-të.
Në minutën e 15-të, kryeqytetasit realizojnë edhe golin e tretë me Oresti Nelën. Një autogol i Arapit do të ngushtonte rezultatin në 3-1, ndërsa Tirana do të realizonte golin e katërt në minutën e 36-të sërish me Emiljano Mihanën, i cili shkëlqeu me tripletë në këtë sfidë. Endri Agolli realizoi edhe golin e dytë për Korçën, teksa sfida u mbyll me fitoren e Tiranës. Përveç golave kjo sfidë ka dhuruar spektakël dhe futbolllistët e rinj kanë shkëlqyer para syve të trajnerëve të ekpeve Kombëtare të moshave dhe tifozëve të pranishëm.
Në finalen e grup-moshës U-14, Durrësi mundi minimalisht Fierin me rezultatin 1-0. Një ndeshje mjaft e balancuar që u vendos nga një gol i shënuar nga Kolgjini në minutën e 47-të, që i dha fitoren durrsakëve.
Edhe finalja e moshës U-13 ka qenë një ndeshje mjaft e bukur, me ekipet e Tiranës dhe Korçës, që rivalizuan deri në fund. Djemtë kryeqytetas kaluan në avantazh me Dybelin që në minutën e 2-të, por korçarët barazuan shpejt me Tikon në minutën e 10-të. Ekipi rajonal i Tiranës u rikthye në avantazh menjëherë me Qirkollarin në minutën e 11-të dhe shënuan edhe golin e tretë me Ushan 4 minuta më pas. Gjithsesi, ekipi i Korçës nuk u pajtua me këtë rezultat dhe arriti të barazonte shifrat 3-3 falë dy golave të Çaçellarit. Në minutat e fundit Tirana arriti ta mbyllte me një fitore sfidën, pasi Shpani realizoi golin që vulosi sfidën me rezultatin 4-3.
Pjesë e këtij turneu tradicional tashmë ishin të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grup-moshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra, që si qëllim kryesor ka evidentimin e elementëve të rinj që luajnë në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimin e mëtejshëm të tyre nga stafi i ekipeve kombëtare, për të seleksionuar futbollistët e rinj të ekipeve kombëtare të moshave.
Ky turne është fryt i një pune të gjatë, ku trajnerë dhe specialistë të ekipeve kombëtare ndjekin nga afër stërvitjet dhe seleksionimet e ekipeve rajonale në këto tetë zona, ku bëhet edhe përzgjedhja e talenteve të reja që marrin pjesë në këtë turne që zhvillohet dy herë në vit, në muajin maj dhe dhjetor.