Për të kuptuar fytyrën e Juventusit, mjafton që të shohësh lëvizjet e Allegrit. Duket se trajneri i bardhezinjëve e ka humbur krejtësisht idenë e ekipit që po drejton në Itali. Pavarësisht trofeve të shumta të fituar në vitet e fundit, kjo skuadër nuk po imponon më kundërshtarët.
Kulmi arriti në ndeshjen ndaj Venecias. Ky kundërshtar mban vendin e fundit në Serinë A dhe Juventusi arriti të fitonte me shifrat 2-1. Menjëherë pasi Bonuci shënoi golin e avantazhit, Allegri ndërhyri menjëherë për të hequr Vlahovic dhe për të futur Chiellini.
Një mbrojtës për një sulmues, në mënyrë që të mbronte rezultatin ndaj vendit të fundit të Serisë A. Kjo shkaktoi të qeshura të mëdha te komentatorët e ndeshjes në Poloni, që e kishin parashikuar një lëvizje të tillë duke njohur frikën e Allegrit.
Sigurisht që trajneri i bardhezinjëve nuk mund të mos e provonte të njëjtën lëvizje edhe ndaj Interit në finalen e Kupës së Italisë. Menjëherë pas shënimit të golit të dytë nga Vlahovic, tekniku ndërhyri për të hequr Bernandeskin dhe për të aktivizuar Bonucin. Por kjo lëvizje nuk i solli aspak rezultat Juventusit, përkundrazi, kishte efekt të kundërt. /Sport Ekspres/