“Shkodrën lëre pa bukë dhe ujë, por jo pa futboll”! Adili tregon përjetimin: Kur fiton Vllaznia, buzëqesh toka dhe asfalti

Një intervistë e rrallë është dhënë nga ana e Mevlan Adilit te Vllaznia. Ky lojtar mund të çohet në qiell të shtatë ose të ulet keqazi në tokë në varësi të rezultateve të ekipit, për mënyrën sesi komentohet nga tifozët apo opinionistët sportiv. E për këtë arsye, mbrojtësi ka jo pak ngarkesë psikologjike. Në një intervistë për “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, Mevlan Adili ka vendosur që të hap zemrën duke i thënë të gjitha.

“Ishte një ndeshje pozitive ndaj Kukësit, kemi edhe tre ndeshje tani. Nuk kemi mbaruar ende punë. Do të më gëzonte tre pikëshi ndaj Kukësit nëse do të fitonim me më shumë gola diferencë pasi jemi -1 gol diferencë me Kukësin në ndeshje direkte dhe shpresoj të mos ndikoj në të ardhmen. Europa? Ne e kemi folur që të mos ia lëmë Kupës që të arrijmë në Europë, por ta sigurojmë nga kampionati dhe të shkojmë me kokë të ftohtë në finale. Që në fëmijë e kam pëlqyer shumë të rrezikoj shumë më ndërhyrjet apo me daljet në sulm, pasi vetëm kështu fitohet.

Plori? Në Shkodër kur nuk ke rezultate kritikohet edhe shoferi i autobuzit. Unë Plorin e vlerësoj shumë, klubi ka bërë gjest të mirë që i dha shansin Plorit. Është punëtor i madh, i njeh të gjithë lojtarët dhe ka që nga koha e Xhaferit këtu. Ndonjëherë mendoj, më vjen të qaj tërë ditën sesi nisi kampionati, sesi u zhvillua dhe sesi mbaron. Përgjegjësinë e marrë dhe vetë, mund të bëja më mirë akoma, por nuk mund të kthehet më gjë mbrapa.

E ardhmja? I jam shumë falënderues këtij qyteti, Vllaznisë. Kam vetëm mirënjohje sesi më kanë pritur mua dhe familjen time. Dëshira ime është që të lëviz në Europë, por nëse nuk mundet, do të bisedoj sërish me drejtuesit e Vllaznisë, tani nuk kam ende një ofertë nga Europa. Siç ju thashë, si jam i lidhur me Vllazninë, nga ana tjetër jam edhe shumë i ngarkuar psikologjikisht në këto dy muaj.

Shkodrën lëreni pa ujë, pa bukë, jeton, pa futboll jo. Kur fiton Vllaznia, në Shkodër duket sikur buzëqesh toka dhe asfalti. Përshembull, pas humbjes me Kastriotin unë nuk kam dalë nga shtëpia për tre ditë se më vinte turp nga vetja. Jam impulsiv si natyrë, por edhe arbitrat duhet të na kuptojnë. Duhet të na kuptojnë se një vendim i tyre ndikon te ne, mund të humbasim dhe kritikohemi nga tifozët tanë, humbasim premiot tona. Nuk duam ndihmë nga askush, vetëm që drejtësia të jetë e barabartë, kaq.

Ndonjëherë them si ka mundësi që rivalët transformohen me Vllazninë si të jenë duke luajtur ndaj Milanit apo Barcelonës? Si ka mundësi që kundërshtarët tanë luajnë kështu me ne? Kjo ndodh sepse Vllaznia luan futboll të bukur, të pastër dhe jo me stilolaps”, tha Adili. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *