VIDEO/ Tifozët i përgjigjen thirrjes së Murinjos, atmosferë e çmendur në një “Olimpiko” të stërmbushur

“Nëse kemi 70,000 spektatorë, kuptimi është asgjë. Nëse kemi 70,000 që duan të luajnë historinë është ndryshe. Kjo është ajo që ne i kërkojmë njerëzve. Mos ejani në stadium për të parë ndeshjen, ejani në stadium për të luajtur”. Ishin këto fjalët e thëna nga Zhoze Murinjo në konferencën e djeshme për shtyp përpara ndeshjes me Leiçesterin.

Tifozët i janë përgjigjur thirrjes së trajnerit portugez, i cili nuk mund të kishte kërkuar më shumë mbrëmjen e sotme. “Olimpiko” ishte i stërmbushur dhe ishte veshur i gjithi me ngjyrat verdhekuqe. Stadiumi ishte i zhurmshëm dhe mjaftoi goli i Tami Abrahamit që në minutën e 11 për të shfaqur atmosferën e çmendur në tribuna.

Mijëra zëra në kor që thërrisnin emrin e tij dhe flamujt e Romës duke u valëvitur, ishte panorama më e bukur që tifozeria mund të shfaqte në një sfidë kaq delikate. Sigurisht që në kualifikimin për në finalen historike të Romës në Ligën e Konferencës një meritë mjaft të madhe e kanë edhe tifozët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *