“Në Korçë nuk të bën njeri presion”, Skënder Gega: Titulli vendoset në derbi? E bëmë në 2019-n dhe mendoja se rrallë do përsëritej

Skënder Gega arriti të fitonte ndaj ekipit më në formë të Superiores në ditën e djeshme që kishte 7 fitore radhazi. Bardhekuqtë mposhtën Kastriotin me rezultatin 2-0, pavarësisht opinionit të krijuar se korçarët ishin të rënë dhe se duhej të luanin vetëm formalisht. Trajneri i juglindorëve ka folur për mediat pas përfundimit të ndeshjes, ku është shprehur i kënaqur me paraqitjet e bëra nga skuadra e tij, megjithëse ishte e vështirë që në kaq pak javë të ndodhte një shpërthim i menjëhershëm.

“Në fakt, që në fillimet e mia te Skënderbeu, opinioni ka qenë ndoshta edhe pesimist. Unë asnjëherë nuk kam qenë pesimist. Kam dashur t’i marr çdo ndeshjeje 100%. Më vjen keq ta përsëris, por përveç ndeshjes me Tiranën, që ishte poshtë mundësive dhe nivelit tonë me ato mungesa, të gjitha ndeshjet e tjera mendoj dhe jam i sinqertë që kemi bërë shumë mirë. Edhe meritonim më shumë. Pa u kthyer te efektet anësore, arbitrimi apo diçka tjetër. Sot erdhën të dyja bashkë, edhe loja, edhe tre pikëshi.

Sulmuesit gjejnë golin? Është gjë e mirë që shënuan, sepse sulmuesi për atë punë është. Mensah bëri vetëm një ndeshje në Laç, ishte java e parë si trajner dhe nga ai moment mungoi shumë javë. Një sulmues që nuk është 100% fizikisht humbet besimin, forcën e duhur. Sot shënoi golin, por mendoj që ekipi i dha mundësi më tepër se sa ai vetë krijoi. Kështu që jam i kënaqur nga loja në grup.

Mendoj dhe jam i bindur, jam përpjekur ta bëj gjithmonë, në këtë situatë që jemi duhet të bindësh lojtarët të luajnë 100%. Duhet ti bindësh lojtarët që rruga më e mirë dhe më e ndershme është që ata të respektojnë fanellën, kontratët, qytetin, të gjitha. Unë e kam bërë këtë, pa asnjë lloj dileme. E kam për detyrë. Detyra kryesore e një trajneri ësthë ti motivojë dhe ti tregojë kush është rruga më e drejtë. Por duhet të jem i sinqertë. Edhe mundësitë ndoshta nuk janë aq sa të mendojmë për një kohë të shkurtër të shpërthejmë. Po ti shoh ndeshjet, përveç Tiranës, kanë bërë lojëra të mira, bindëse. Duhej edhe pak fat. Edhe kemi humbur raste, si me Kukësin në minutën e 92, ose me Partizanin.

Arbitrimi? Arbitrimi asnjëherë nuk është absolut. Nga të dyja krahët besoj se ka pasur ndonjë ankesë të vogël. Nuk është radikale. Ne jemi nën presion dhe një gjë është qartë, që në Korçë nuk të bën kush presion. Edhe si ekip, jam munduar ti qetësoj lojtarët që të mos merren me arbitrimin. Megjithatë, VAR-i i bën gjërat më të qarta. Kështu gjërat që kanë kaluar duhet ti harrojmë dhe të shikojmë përpara.

Tirana mund të fitojë titullin në derbi? Ndoshta arsyeja që ata kanë kohë që kanë kohë që janë shkëputur ka bërë që të ulin marshin. Ndoshta koiçidon që pas këtij barazimi t’i bjerë derbi. Ne e kemi bërë këtë gjë në 2019-n. Fituam me 13 pikë në stadiumin “Selman Stërmasi“ kundër Tiranës. Janë gjëra të rralla. Kam menduar se duhej shumë kohë për tu përsëritur, kam menduar se rrallë herë përsëritet. Megjithatë, është një ndeshje e hapur dhe le të fitojë kush është më i miri”, ka deklaruar Skënder Gega./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *