Legia e Varshavës ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat. Klubi polak ka nisur prej javësh kthesën e madhe dhe njeh vetëm rritje në lojë dhe rezultate. Këtë herë kampionët në fuqi kanë mposhtur 2-1 Leçia Gdanskun, e cila mban vendin e 4-t në renditje.
Golat për Legian janë shënuar nga Vzolek në minutën e 29 dhe nga Pekhart në të 65-tën. Ndërkohë kundërshtarët kanë ngushtuar diferencat me anë të Zvolinskit në minutën e 83-të. Ndërkohë, trajneri Vukoviç ka zgjedhur ta nisë ndeshjen pa asnjë prej lojtarëve shqiptarë. Kastrati është future në fushë në minutën e 69, ndërsa Çelhaka vetëm 6 minuta para se të përfundonte koha e rregullt.
Ndërkaq, Ernest Muçi nuk është përzgjedhur as për në pankinë. Sulmuesit shqiptar i është dashur ta shohë fitoren e skuadrës së tij nga shtëpia, duke mos qenë pjesë e grupit të Vukoviçit për sfidën kundër Leçias së Gdanskut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/