Shqipëria nuk ka arritur të marrë më tepër se barazimi në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Kjo përballje u mbyll ashtu si edhe nisi, në shifrat 0-0. Shumë ndryshime në mesfushë nga Reja, ndërsa në sulm e nisi Broja-Manaj.
Sulmuesi i Southampton nuk u duk në fushë dhe ngeli në stol me nisjen e së dytës, duke i lënë vendin Cikalleshit. Ky i fundit i dha një tjetër energji sulmit duke “bërë Brojën”. Rasti më i mirë i takimit u krijua pikërisht nga Cikalleshi. Në fund, pavarësisht tentativa, të dy ekipeve janë ndarë në barazimin 0-0. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonsitët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supërsport”.
Cikalleshi: “Sot ishte një ndeshej që mendoj se duhej fituar. Pamë një Gjeorgji që ishte rreshtuar mirë mbrapa. Në momentin që fitonte topin luante shumë mirë. Ishte teknikisht mirë. I kishim mundësitë për të fituar ndeshjen. Një rast e kisha unë, një Vrioni, Çekiçi. Duhet të shënonim. Kemi edhe pak rrugë për të shkuar aty ku duam ne. Në momentin që ke përballë një ekip si Spanja gjëja primare është mbrojtja me të gjitha forcat, nëse del një rast përpara… Ne ekipe që janë deri diku në nivelin tonë duhet të tentojmë diçka më shumë, por të kemi garanci mbrapa. Sot e treguam se kishim garanci mbrapa. Nuk u hodhëm në aventurë në 10 minutat e fundit, qendruam kompaktë. Por janë ndeshje miqësore dhe duhet të përmirësojmë diçka deri në qershor. E pashë videon mbrapa, ishte një moment që duhet të pasoja. Por në atë moment kisha shumë besim që do ta shënoja. E godita topin atje ku doja ta dërgoja. Duhet të jem i sinqertë me ju, në atë moment isha shumë i fokusuar për të shënuar. Gabova, tani që e pashë duhet të kisha pasuar”.
Asllani: “Emocion unik. Bëra gjithë ndeshjen, luajtëm shumë mirë. Krijuam shumë okazione, por mungoi vetëm goli para tifozëve. Por edhe goli do të vijë, jam i sigurt. Hyra për të ndihmuar cunat, besoj se kam bërë mirë. Pastaj e dini ju. Unë ndihem mirë në fushë në numrin 6. Aty kam luajtur që i vogël. Me Nedimin njihem shumë mirë, por u ndjeva mirë me të gjithë mesfushorët. Për mua ekipi është shumë i fortë dhe kemi për të bërë shumë gjëra të bukura në të ardhmen. Zërat për Milanin? Nuk më interesojnë zërat, jam i përqendruar vetëm te Empoli. Dua të qendroj në kategori me Empolin“.
Reja: “Këto ndeshje janë të vështira. Duhet të shënosh në dy tre rastet që të jepen. Nëse nuk shënon, atëherë bëhet shumë e vështirë. Mos të harrojmë se ka ndeshje të dielën dhe intesiteti nuk është i lartë. Kur luan me Spanjën dëshira është më e madhe. Por impenjimi ishte aty. Jam i kënaqur me këto dy miqësore. Kemi parë që Asllani ka cilësi shumë të mira. Kur ka një ndeshej zyrtare sigurisht që motivimi është i duhur. Do i shohim ndeshjet gradualisht. Kemi ardhur dje, nuk kishim kohën e duhur për të përgatitur ndeshjen.
Impenjimi ishte i madh, nuk mund të themi gjë për këtë pjesë. Broja nuk ishte 100%, sepse kishte një probleme në kavilje. Kemi folur në pushim të pjesës së parë. E doja ta fusja nga fillimi. Në momentit që ndizet është e pamundur për ta ndalur. Në këtë ndeshje është pak e vështirë për të për të shprehur potencialin e tij. Pastaj nuk ishte aq mirë fizikisht“.
Roshi: “Ishte ndeshje shumë e mirë. Të gjithë jemi koshientë që e kemi dominuar lojën. Por mos të harrojmë që Gjeorgjia ka një ekip shumë të mirë. Patëm rastet, por nuk shënuam. Ishte atmosfera e duhur për të shënuar. Skemën time e dinë të gjithë, por e di trajneri si e vendos. Me të kemi luajtur këtë skemë, shumë rrallë kemi luajtur 4-3-3”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/