“Bëmë një ndeshje të madhe”, Bare i kënaqur pas miqësores me Spanjën: E treguam në fushë, ishim kompaktë

Ka përfunduar me rezultatin 2-1 miqësorja e luksit mes Shqipërisë dhe Spanjës. Në Barcelonë ka vend për festën spanjolle, teksa një supergol i Dani Olmos në minutën e 90 vendosi fatin e takimit. Një paraqitje tejet pozitive e kuqezinjve, të cilët përballuan me sukses një nga Kombëtaret më të mira të globit. Iberikët dominuan në lojë dhe rrezikuan disa herë portën e Berishës përgjatë pjesës së parë, ndërsa nuk mungoi as kërcënimi nga Shqipëria, ku vetëm centimetrat ndanë Cikalleshin nga goli.

Pjesa e dytë paraqiti një tablo tjetër, me të dyja ekipet që gjejnë rrugën e rrjetës. Pas 75 minutave rezistencë mbrojtja e Shqipërisë dorëzohet dhe Ferran Torres shkund rrjetën e Berishës. Por festa shuhet vetëm 10 minuta më pas. Fati i buzëqesh Myrto Uzunit, i cili pas një devijimi të topit e dërgon atë pas shpinës së portierit. Britmat e beratasit pushtuan qiellin e Barcelonës, duke u çliruar më në fund nga mungesa e gjatë e golit te Kombëtarja. Megjithatë, kur të gjithë tifozët shqiptarë prisnin të largoheshin me një barazim nga Spanja, Dani Olmo vjen me një goditje perfekte që përfundon në trekëndësh. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Bare: “E dimë shumë mirë që ata kanë një ekip shumë të mirë. Bëmë ndeshje të madhe, pavarësisht se u mbrojtëm shumë. Ishim kompaktë. Ekipi bëri një ndeshje të mirë, morëm dicka pozitive nga kjo ndeshje pavarësisht rezultatit. Ne treguam në fushë. Do mundohemi dhe stërvitemi pak më shumë që të qarkullojmë topin. Por nuk është e lehtë se ata e qarkullonin shumë topin. Ata kanë edhe talente individualë, sic e patë dhe vetë ishin gola individual. ”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *