“Kam humbur miqtë e fëmijërisë”! Keidi Bare rrëfehet në Spanjë për historinë e pazakontë: Nuk njoh askënd tjetër që iku si mua, babai më dëgjonte mes lotëve

Keidi Bare ka dhënë një intervistë për mediat spanjolle duke treguar dramën e vërtetë që ka kaluar në fëmijëri. Vetëm në moshën 11-vjeçare, mesfushori duhej të largohej nga Shqipëria pasi nuk kishte të ardhme për të, dëshironte të ishte një lojtar i njohur. Largimi ishte drejt Greqisë, por jo me familjarët e tij, por krejtësisht i vetëm. “Kur je 11 vjeç, e sheh gjithçka ndryshe. Nuk njoh asnjë fëmijë që të largohet nga vendi i tij për hir të futbollit në atë moshë dhe që duhet të jetojë vetëm. Unë kam humbur gjithçka. Për miqtë e mi të fëmijërisë po flas, për shembull. Ose, më e rëndësishmja, dashuria e familjes sime. Nuk është se nuk ma dhanë, por duhej ta bënin në distancë. Nuk mund t’i kisha pranë.

Muajt e parë kam jetuar në një vend me djem të tjerë dhe kam kaluar shumë keq. Kur më telefonin nga familja, qava shumë. Nuk isha mësuar dhe ishte një botë tjetër për mua. Nuk njihja askënd, madje as gjuhën. Kur babai më merrte në telefon dhe më dëgjonte duke qarë, gjithmonë insistonte që, nëse doja, të kthehesha në shtëpi. Por në fund, edhe pse dukej e gabuar, diçka më tha se duhet të qëndroja atje sepse ishte më e mira për mua. Tani ndihem mirë për marrjen e këtij vendimi. Unë do të doja të luaja një Botëror sepse vendi im nuk e ka arritur kurrë. Të gjithë e ëndërrojmë. Me punë dhe përpjekje do ta arrij. Ashtu si shumë gjëra të tjera”, tha Bare. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *