“Tirana e tregoi se përse e meriton vendin e parë”, trajneri i ri i Dinamos ngre entuziazmin: Nëse luajmë si sot, vështirë se humbim prapë

Arsyeja se përse Tirana është kampione e Superiores në këtë sezon, megjithëse jo zyrtarisht e shpallur, gjendet në ndeshjen e sotme ndaj Dinamos. Bardheblutë arritën që të realizonin në të 69 me anë të Dejvid, i cili shfrytëzoi pasimin fantastik të Xhixhës.

Ndeshja nisi me aksione të shumta të Dinamos dhe një rast të artë që u shpërdorua nga Lilaj. Në fund, ishin sërish dinamovitët që kishin mundësinë e barazimit. Por nga fare pranë, Agim Ibrahimi nuk ka mundur dot të shënojë dhe Bekaj arriti që të evitonte golin në minutën e 86, duke i pritur penalltinë. Duart e arta të Visarit po e afrojnë Tiranën me titullin. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Shehi: “Kur vjen fundi, spektakli kalon në plan të dytë. Kishim informacion për mënyrën sesi do të luante Dinamo. Në ndeshje derbi janë episodet e rëndësishme. Të tre rezultatet janë të mundura. Më vjen mirë që Visar Bekaj po tregohet vendimtar për ne. Gabimet janë njerëzore, çdokush bën gabim, nga unë i pari. Mendoj se Seferi e meriton të jetë pjesë e përfaqësues, është në listë pritjeje. Të mos harrojmë që janë dy ndeshje miqësore. Në sfidat zyrtare mendoj se do të jetë pjesë e kombëtares. Fjala titull? Kurrsesi nuk mund të themi që kemi dalë kampion, kur kjo nuk ka ndodhur. Nuk duam që skuadra të ulë ritmin, të futet në stres. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kemi kohë për të festuar.”

Vanoli: “Si fillim komplimente Tiranës, e ka treguar se e meriton të jetë në krye. Të dhemb kur humb pas një paraqitje të tillë. Lojtarët treguan një nivel shumë të lartë, në aspektin tekniko-taktik dhe sa i përket edhe shpirtit të garës. Nëse vazhdojmë të luajmë si sot, vështirë të humbim. Sot luajtëm me këtë sistem loje, sepse menduam se ishte më i përshtatshmi për të vendosur kundërshtarin në vështirësi. Të gjithë e panë paraqitjen shumë të mirë të lojtarëve të mi, më vjen keq për ta. Krijuam më shumë raste, e goditëm më shumë portën kundërshtare se Tirana. Kjo do të thotë se kemi bërë një punë të mirë, ndeshja tjetër do të jetë ndryshe. Për mua është ndeshja e parë sot, nuk shoh se çfarë ka ndodhur më para. Jam i bindur se lojtarët do të përmirësohen në vazhdim”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *