“Është nder i madh të jesh trajneri i Tiranës”, Orges Shehi flet para derbit me Dinamon: Ndërrimi i fundit na vështirëson punën

Orges Shehi ka folur para derbit të Tiranës ndaj Dinamos. Kjo përballje do të zhvillohet në “Elbasan Arena” pasi stadiumi i kryeqytetit është mbyllur dhe po pret finalen e Conference League. Tekniku i bardhebluve shprehet se puna është vështirësuar disi për takimin e radhës pas ndërrimit të trajnerit te Dinamo.

“Kemi një distancë prej 10 pikësh me Laçin, por kjo bie poshtë duke llogaritur sa pikë janë në lojë. Duhet të fokusohemi te vazhdimësia, kemi edhe 11 pengesa. E para është kjo ndaj Dinamos, pa marrë parasysh distancën e pikëve që kemi me të tjerët. Dinamo? Ndërrimi i trajnerit na e vështirëson pak situatën. Na mbetet për të marrë masa. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të qetë për të marrë masat për mënyrën e rreshtimit dhe lojën e kundërshtarit.

Kemi bërë një kampionat të mirë, kemi bërë mirë ndaj kundërshtarëve, si ndaj Dinamos. Derbi është derbi, Dinamo ka lojtarë cilësorë, por situatat ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje. Dinamo kërkon vlerësimin maksimal. Me mbylljen e ‘Air Albania’ do i luajmë jashtë të gjithë ndeshjet, por jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e nesërme ndaj Dinamos. Është privilegj të jesh trajner i Tiranës, është kënaqësi e madhe. Çdokush do të donte të ishte pjesë e këtij klubi për një kohë të gjatë”, tha Orges Shehi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *