“Kombëtarja është krenari për ne”! Keidi Bare i lë pa fjalë spanjollët me rrëfimin: Familja më shtyu të largohesha nga Shqipëria që 11-vjeç…

Keidi Bare është sot ylli i Kombëtares Shqiptare dhe po i bën krenar tifozët tanë me paraqitjet e tij te Espanjoli. Një lojtar që me stilin e tij i fiton dashurinë të gjithëve, pasi jep gjithçka në fushë. Por historia e tij ka qenë shumë dramatike dhe tregon shumëçka për personalitetin që ne shohim sot. Që në moshën 11-vjeçare duhej të largohej nga Shqipëria, prindërit i tregonin se nuk do të kishte të ardhme ne këtë vend. Ky është rrëfimi i ndierë që mesfushori shqiptar e ka dhënë së fundmi për një prej mediave spanjolle, duke i çuditur jo pak.

“Si familja ime ashtu edhe unë e kishim të qartë se duhej të largohesha nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Jashtë Shqipërisë kishte më shumë gjasa të isha dikush në botën e futbollit. Prindërit më inkurajuan të largohesha në moshën 11-vjeçare. Hedhja e hapit të madh ishte shumë e vështirë. Tani mendoj për të dhe nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Nuk njihja askënd, asnjë gjuhë, asgjë. Por në përgjithësi isha mirë sepse më bëri të piqesha para kohe. Kam kaluar katër vjet në Greqi, derisa për çështje burokratike nuk më lejuan më të luaja dhe munda vetëm të stërvitesha.

Pastaj kur shkova 15-vjeç u ktheva në Shqipëri. Në pamundësi për të luajtur ndeshje profesionale, kalova gjashtë muaj në Shqipëri, ku munda të bëja debutimin tim për ekipin e parë të klubit të qytetit tim, Apolonia. Nuk e prisja ta merrja kaq shpejt shansin, ishte e bukur. Spanjë-Shqipëri? Do të jetë një ndeshje shumë e veçantë. Do të jetë si të luaj në shtëpi për mua. Të luaj me Shqipërinë më mbush me krenari. Kur ndiqja ndeshjet e kombëtares në televizor, isha shumë i motivuar. Njerëzit e duan shumë Kombëtaren, stadiumi dhe baret janë gjithmonë plot kur ka ndeshje”, tha Bare. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *