Opinioni i gazetarit shkodran/ “Danke”! Vllaznia hoqi dorë nga Brdariç, por jo nga projekti i gjermanit

Nga Endri Cinari për “Sport Ekspres”

Erdhi në Shkodër vetëm si një emër i njohur si futbollist ku kishte shkëlqyer me fanellën e Leverkusenit. Si trajner pak njihej e pak kishte pasur sukses dhe skepticizmi dhe dyshimet rreth tij ishin të mëdha. Fjala është për Thomas Brdariç që dje i dha lamtumirën Vllaznisë  pas largimit nga drejtimi i shkodranëve.

Trajneri që ringriti një skuadër që prej më shumë se një dekade vuante për mbijetesën në Superligë. Që i dha fytyrën spektakolare siç e meriton Vllaznia, që riktheu entuziasmin e munguar prej vitesh tek tifozeria dhe që riktheu një trofe tek Vllaznia pas 13 vitesh me fitimin e kupës sezonin e shkuar. Tashmë trajneri gjermnan nuk është më pjesë e Vllaznisë dhe largimi erdhi në një moment ku nuk pritej.

Shumë kush në Shkodër është surprizuar me largimin e ish-mesfushorit nga pankina e Vllaznisë. Ka pasur të shumtë që kanë pasur mendimin në Shkodër që trajneri nuk duhej të largohej nga kuqeblutë dhe se nuk është ai përgjegjësi kryesor për rezultatet e shkodranëve. Pavarësisht se ndonjë kritikë mund të ketë edhe për kroato-gjermanin.

Tashmë në krye të pankinës së Vllaznisë do jetë krahu i djathtë i Brdariç, Elvis Plori. Kjo tregon në njëfarë mënyre se tek shkodranët nuk kanë hequr ende dorë nga projekti që filluan me Thomas Brdariç. Pastaj ndoshta ndonjëherë duhet ndonjë ndryshim që gjërat të ecin përpara. Gjithsesi jo vetëm Vllaznia dhe Shkodra, por edhe kampionati dhe mbarë Shqipëria duhet ti thonë “danke” (faleminderit” Brdariç që solli një futboll europian në Superligë në këtë 1 sezon e gjysmë që qëndroi në Superligë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *