4 pikat e veçanta që u mësuan nga java e 25 e Superiores/ Refuzohet një propozim martese dhe jo Kombëtarja, Shehit i shërbeu “turizmi” me De Biazin

Nga Klaudio Ndreca/ “Sport Ekspres” ju sjell katër pikat e veçanta që u mësuan nga java e 25 e Superiores

“Shkoi, pa, fitoi”! Orges Shehi, ky nxënës i mirë që kaloi edhe profesorin De Biazi

Kur De Biazi e thërriste, Orges Shehi nuk përtonte për të shkuar. Shumë nuk e kuptonin sesi ky portier mbërrinte në grumbullimin e Kombëtares për të mos luajtur kurrë. Simbolike kjo, pasi mund të refuzosh një propozim martese, por kurrsesi ftesën e Kombëtares. Portierët e Serisë A kishin gjithmonë përparësinë për ta fituar duelin, të mundnin me markën e rëndë edhe nëse nuk ishin në formën e duhur. Por ja kur vjen një pikë që edhe mbërritja si “turist” të shërben në një ditë. Nxënësi ishte duke mësuar nga De Biazi dhe erdhi me variantin e ri të skemave të italianit. Goli i shënuar kundër Vllaznisë ishte një riprodhim i gjenialitetit të italianit në golin e shënuar nga Mavraj ndaj Francës. Rolin e Hysajt që mori pasimin e shkurtër dhe u kthye për të befasuar kundërshtarin drejt vijës e bëri Seferi, ndërsa Ismajlgeci përmbylli gjithçka me sukses. “Shkoi, pa, fitoi”.

Partizanit “i rri ngushtë” Europa, koka te derbi dhe trupi te Egnatia!

Kur nisi ky kampionat, Partizani ishte një prej favoritëve kryesor për të fituar titullin. Në sezonin e shkuar kur Ilir Daja shkoi te kuqtë, objektivi kryesor ishte rritja e nivelit të lojës dhe jo fitimi i kampionatit, duke parë edhe merkaton e bllokuar. Por trajneri i njohur i futbollit shqiptar i tejkaloi të gjitha pritshmëritë duke qenë në garë deri në javën e fundit. Sezoni aktual ishte një tjetër histori dhe Mehmeti mbërriti për të ndrequr gabimet e mëparshme. Partizani u rikthye sërish dhe lojtarët kërkuan trofeun e dytë të tifozëve ose të parin për të qenë më të saktë, siç e shprehin vetë ata: “Mjafton të fitoni derbin, nuk e duam kampionatin”.

Jo vetëm se nuk e dëshirojnë tifozët, por Partizani i ka “larë duart” me trofeun në këtë sezon, është edhe çështje mundësie. Pra me barazimin e marrë ndaj Tiranës, u hoq dhe mundësia e vetme e festës së madhe në këtë sezon vuajtjesh. Të gjithë ishin me kokën te derbi. Goli i parë i pësuar ndaj Egnatias ishte dëshmia më e mirë sesi 3 lojtarë të Partizanit qëndronin statik duke mos i besuar lojtarit kundërshtar se do të arrinte te topi i pari dhe se do të kishte shënjestër të saktë nga distanca. Ndërkohë edhe Mehmeti zgjodhi të ankohej për kartonin e kuq të padhënë sipas tij në derbi. Dy kartona të kuq të Partizanit ndaj Egnatias ishin dëshmia tjetër më e mirë e nervozizmit që prodhoi pas derbi. Duket se Partizanit i rri ngushtë Europa, lojtarët motivohen vetëm për vendin e parë dhe Tiranën.

Të mos ngarkosh me përgjegjësi…fajtorin! Ndodh te Dinamo, lojtarët shëtisin fanellën në fushë

DRAMË! Kush e ka fajin te Dinamo? Tanimë nuk ka dyshime. Fillimisht u hoqën ndihmësat e Bledi Shkëmbit, më pas vetë Bledi Shkëmbi dhe tani Bledar Devolli. Por në të tre rastet, Dinamo mbeti…e njëjta. Rezultatet janë katastrofale dhe niveli i lojës nuk është më i bukur. Devolli solli më tepër grintë, por sërish nuk e zbukuron dot shëmtinë që po përcjell kjo skuadër. Qartazi, këta lojtarë nuk po e kuptojnë vlerën e fanellës që mban veshur dhe vetëm sa po e shëtisin në fushë. Me një president që vjen si “Babagjyshi i Vitit të Ri”, duke plotësuar çdo kërkesë të futbollistëve, këta të fundit nuk po sillen mirë që të presin dhuratat e vitit të tjetër. Nëndetësja erdhi në breg, por ishte e mbytur. A do të riparohet në kohë? Gjëndja duket e vështirë, por paradoksalisht nuk mund të preken…fajtorët. Jo vetëm për shkakun se nuk kryen dot lëvizje në këtë periudhë, por çdo fjalë e thënë për lojtarët vetëm sa i rëndon ata psikologjikisht. Të paktën kështu thuhet nga trajnerët, pasi vetë futbollistët nuk kanë treguar shumë sedër apo skuqje fytyre.

Superiorja është në “grackën” e Visar Bekajt, një portier në Shqipëri me aromë të Europës

Përpara se të vinte te Tirana ishte pranë kalimit në Bundesligë. Nëse ka një lëvizje të goditur të merkatos së bardhebluve në këto vitet e fundit është Visar Bekaj. Një portier që nëse do të ishte te Shqipëria, seriozisht mund të rrezikonte që të linte në stol Strakoshën dhe Berishën. Reflekse perfekte dhe reagim që të mahnit. “Gracka” ku e futi Latifin që të humbiste penalltinë e parë ishte një histori më vete. Nuk qëndron në mes të portës, por anohet dukshëm nga një krah, duke luajtur me psikologjinë e Latifit që kurrsesi nuk mund ta dërgonte topin atje ku ishte vendosur Bekaj. Latifi nxitoi për të goditur fort në hapësirën e madhe që u la bosh dhe gjeti shtyllën. Aty nisi dhe ndryshoi fati i ndeshjes, teksa Tirana përmbysi Vllazninë. Superiorja ka prodhuar në këtë sezon shumë portier të mirë, por Bekaj është i vetmi me aromë Europë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *