“Fusha ishte në gjendje të tmerrshme”! Brdaric tregon arsyen e humbjes: Urime Tiranës, nuk luajtëm dot futboll të bukur se…

Tirana ka arritur që të fitojë edhe kundër Vllaznisë në klasiken e futbollit shqiptar. Ndeshja ka përfunduar me shifrat 1-2 për bardheblutë. Shkodranët e nisën me golin e Aralicës duke prodhuar entuziazëm të madh që në minutën e 7. Latifi kishte shansin e artë për të dyfishuar në të 35, por Bekaj arriti që ta shpërqendrojë dhe topi përfundoi në shtyllë. Kur mbyllej pjesa e parë, kryesuesit barazuan rezultatin me skemën perfektë. Një ekzekutim si skema e De Biazit kur Mavraj i shënoi Francës teksa pas pasimit të shkurtër nga goditja e këndit, Seferi u rrotullua në krahun tjetër dhe u afrua me vijën ndarëse duke e futur topin në qendër, atje ku Ismajlgeci nuk gaboi.

Ishte Mustedangac që në minutën e 70 goditi mrekullisht nga goditja e dënimit, por Bekaj si një “Spiderman” gjeti cepin për të evituar golin. Në të 69 ishte Hoti që vulosi fitoren. Nga krahu tjetër një ndeshje e çmendur u prodhua te Partizani-Egnatia që përfundoi me shifrat 2-2. Pas golit të parë të Shytit, Partizani barazoi me Junior në të 60. Marku do të ndëshkohej me karton të kuq vetëm katër minuta më pas ndërsa Shtubina dha goditjen e papritur në të 86. Si për të rënduar më tepër gjendjen, Bitri mori karton të kuq në të 90 duke lënë Partizanin me 9 lojtarë. Në fund ishte sërish Junior që barazoi me Egnatian që del e humbur edhe me barazimin e marrë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Brdaric: “Urime për Tiranën. Mendoj se merituam më shumë dhe vuajtëm pas humbjes së penalltisë, kjo ishte pika kyce e ndeshjes. Nëse ndeshja do të kishte shkuar 2-0, do të ndryshonte historia. Të paktën duhej të kishim marrë një pikë. Fusha ishte në gjendje të tmerrshme dhe kjo na ndaloi për të luajtur një futboll të bukur. Disa gjëra mund t’i bënim më mirë”.

Ramadani: “Është e vështirë të gjesh koment dhe fjalët e duhura për golin e dytë që na shënoi Partizani, kur ishin me 9 lojtarë. Nuk të duhet trajner apo këshilla për mënyrën sesi duhet të menaxhosh minutat e fundit. Një pikë e marrë sot me Partizanin mund të duket mirë, por në fund mund të na kushtojë shumë shtrenjtë. Kemi humbur dy pikë sot, nuk kemi fituar një pikë. Lojtarët e Egnatias menduan se gjithçka mbaroi me fitoren tonë”.

Shehi: “E rëndësishme nuk është ajo që ndodh, por mënyra sesi ti reagon kur ndodh diçka. Pas golit të pësuar kemi qenë në ekuilibër. Ne mund të flasim, të ndryshojmë modul, por është cilësia e lojtarëve që ne jemi këtu, merita u takon atyre. Gjithashtu edhe skemat që dalin është interpretimi i duhur i lojtarëve. Ne ndryshuam modul gjatë lojës dhe kur dolëm me 4-3-3 tonë klasik, gjithçka shkoi si duhej. Nëse do të them se i dhashë indicie Bekajt për penalltinë e Latifit do të merrja meritat unë. Porositë janë të pranishme, por ishte merita e Bekajt për mënyrën si rri në portë dhe presioni që i vendos kundërshtarit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *