Nevil Dede, i ftuar në emisionin “Skaner“ në “MCN TV“, ka komentuar shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia do të përballet me Partizanin. Trajneri i njohur sheh favorit të kuqtë në të sfidë, teksa gëzojnë një formë mjaft të mirë në këtë vit kalendarik. Nga ana tjetër Dede e sheh Vllazninë me shumë luhatje, ndërsa shton se tashmë është pjesa më kulminante ku luhen fatet e sezonit.
“Partizani është favorit. Vjen me entuziasëm, ka një formë të mirë të skuadrës, ka shumë pak dëmtime, për mos të thënë fare. Po merr formë edhe skuadra. Ka shumë pak lëvizje, vetëm në disa pozicione, më shumë për shkak kartonash apo për zgjedhje taktike. Ka stabilizuar mbrojtjen dhe portën, që është shumë e rëndësishme. Po ashtu edhe ardhja e fundit, Skuka, i ka dhënë diçka tjetër, bashkë me Kallakun, i kanë dhënë pak më bukuri kësaj skuadre.
Vllaznia luhatet shumë. Jashtë fushe nuk është e njëjta skuadër si në “Loro Boriçi”. Luhatet shumë edhe në formacion, edhe në zgjedhjet e Brdariçit dhe kjo besoj i jep avantazhe shumë Partizanit. Gjithsesi, është ndeshje kupe. Janë gati edhe 20 ditë dhe do të thoja që është pjesa kulminante e sezonit. Pra, këtu luhen fatet e gjithë sezonit. Nga mesi i shkurtit, deri në fillim të prillit, unë mendoj që fillon merr formë çdo gjë, skuadrat që do vuajnë deri në fund, ato që bien rehat e kështu me radhë. A e ruan diferencën Tirana? E kam thënë, vetëm të ketë qetësi presidenti. Po pati qetësi Refik Halili ajo skuadër ecën.”, ka thënë Nevil Dede./Halit Delibashi-Sport Ekspres/