“Duam të kujtohemi si heronj”, Rrahmani tregon ëndrrën e madhe dhe paralajmëron: Juventusi mund të kthehet për titullin kampion

Napoli gjendet në vendin e parë të tabelës së bashku me Milanin me nga 57 pikë të grumbulluara deri më tani. Ndërkohë të dielën luhet sfida kokë më kokë mes tyre, ku do të hidhet një hap tepër i rëndësishëm për garën për titull. Në një intervistë të dhënë për “Radio Kiss Kiss Napoli”, Amir Rrahmani tregon se është herët të flitet për titull, ndërsa u kujton tifozëve se këtë sezon kanë një ëndërr dhe së bashku me skuadrën kërkon të kujtohen si heronj.

“Ne nuk e themi fjalën (titull) aq shumë, sepse jemi të vetëdijshëm se është ende herët për të folur për të. Unë u them tifozëve se si ata kemi një ëndërr dhe një qëllim të madh për të arritur. Dhe të kemi një javë në dispozicion mund të jetë një gjë pozitive për ne. Duam të kujtohemi si heronj, siç tha edhe  Spaleti. Do të përpiqemi deri në fund.

Krahasimi me Albiolin? Nëse e thonë për tifozët, jam i lumtur. Kam nevojë për vazhdimësi dhe të luaj me Koulibalinë është më e lehtë. Ai është i mrekullueshëm. Edhe kur kisha pak hapësirë, besoja në aftësitë e mia. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe ndoshta të bëj më mirë.

Me Milanin ne do të përpiqemi të mos pësojmë asnjë gol. Mbajtja e portës së pastër është një objektiv themelor për ne mbrojtësit dhe për portierin. Me Lazion ishte një fitore e rëndësishme për të vazhduar të qëndrojmë lart në renditje. Tani ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme dhe mund të ketë të paktën 4/ 5 ekipe për titullin. Atalanta dhe Juve gjithashtu mund të kthehen. Gjithçka mund të ndodhë”, ka deklaruar Amir Rrahmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *