Byroja e Këshillit të FIFA-s merr masat e para në lidhje me luftën në Ukrainë

Fillimisht dhe më kryesorja, FIFA dëshiron të përsërisë qëndrimin e saj, duke dënuar përdorimin e forcës nga Rusia në pushtimin e Ukrainës. Dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe FIFA shpreh solidaritetin e saj më të thellë për të gjithë njerëzit e prekur nga ajo që po ndodh në Ukrainë.

FIFA bën thirrje sërish për rivendosjen urgjente të paqes dhe për fillimin e menjëhershëm të dialogut konstruktiv. FIFA mbetet në kontakt të ngushtë me Federatën e Futbollit të Ukrainës dhe anëtarët e komunitetit të futbollit ukrainas, të cilët kanë kërkuar mbështetje për t’u larguar nga vendi për sa kohë që konflikti aktual vazhdon.

Për të adresuar çështjet e lidhura me futbollin dhe në koordinim me UEFA-n, Byroja e Këshillit të FIFA-s – ku përfshihet Presidenti i FIFA-s dhe gjashtë Presidentët e Konfederatave – ka vendosur njëzëri të marrë masat e para të menjëhershme, në përputhje me rekomandimet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe kjo do të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër:

  • Asnjë kompeticion ndërkombëtar nuk do të luhet në territorin e Rusisë, teksa ndeshjet në “shtëpi” do të luhen në territor neutral dhe pa spektatorë.
  • Federata anëtare që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo garë me emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë (RFU)” dhe jo “Rusia”.
  • Asnjë flamur apo himn i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku marrin pjesë ekipe nga Unioni i Futbollit të Rusisë.

FIFA do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA-n dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga të gjitha garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet sa më shpejt. Byroja e Këshillit të FIFA-s mbetet në gatishmëri për të marrë ndonjë nga këto vendime.

Më e rëndësishmja, FIFA beson fuqimisht se lëvizja sportive duhet të jetë e bashkuar në vendimet e saj për këtë çështje dhe se sporti duhet të vazhdojë të jetë një mjet paqeje dhe shprese.

Në lidhje me kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës 2022, FIFA ka marrë parasysh qëndrimet e shprehura nëpërmjet mediave sociale nga Federata Polake e Futbollit, Federata e Futbollit të Republikës Çeke dhe Federata Suedeze e Futbollit dhe tashmë është angazhuar në dialog me të gjitha këto federata. FIFA do të qëndrojë në kontakt të ngushtë për të kërkuar së bashku gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme dhe të pranueshme.

Mendimet e FIFA-s mbeten me të gjithë të prekurit nga kjo situatë tronditëse dhe shqetësuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *