Nis kampionati kombëtar i femrave U-16, Duka: Arritje! Objektivi ynë, 4000 vajza në futboll deri në 2025!

Kampionati Kombëtar i futbollit për femra U-16 ka çelur edicionin e parë ditën e sotme, duke i hapur kështu rrugën një tjetër risie në futbollin shqiptar. Futbolli i femrave, si një nga prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit ka marrë një zhvillim të madh vitet e fundit, me mbështetje të madhe, jo vetëm financiare, por edhe materiale. Jo vetëm futboll femrash në shkollat 9-vjeçare, por tashmë vajzat e futbollit do të kenë mundësi të garojnë edhe në kampionat, siç është ky i U-16 që nisi sot!

Këtë të shtunë, në Durrës u zhvillua edhe një ceremoni, ku u inagurua hapja e këtij kampionati dhe ku ishte i pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili përgëzoi nisjen e këtij kampionati të ri, risi e FSHF-së në futbollin e femrave, duke theksuar edhe njëherë se futbolli i femrave është një nga prioritetet absolute të FSHF-së në katër vitet e ardhshme.

Në strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025”, objektivi i FSHF-së është arritja e një numri prej 4000 vajzash që angazhohen dhe luajnë futboll u shpreh Presidenti Duka në fjalën e tij, teksa ftoi edhe prindërit t’i afrojnë vajzat rreth kësaj loje, pasi pa dyshim që do të gjejnë mbështetje nga FSHF-ja. Në fund të fjalës së tij, numri një i futbollit shqiptar i uroi suksese të gjitha ekipeve dhe një kampionat sa më të mbarë!

“Është vërtetë bukur që të jesh këtu mes fëmijëve që luajnë futboll, por është akoma edhe më bukur kur këta fëmijë janë vajza. Shumë pak vite më parë ishte e paimagjinueshme që vajzat të luanin futboll, madje ishte për shumicën e opinionit shqiptar e turpshme, që vajzat të luanin futboll. Kemi kaluar fazën e parë të “luftës” me konceptin, falë punës së shkëlqyer të administratës së Federatës së Futbollit, të trajnerëve, falë punës ë filizave të parë, siç është edhe trajnerja e Kinostudios, një nga vajzat e para që ka luajtur futboll. Tashmë puna është edhe më e vështirë, sepse duhet që nëpërmjet promovimit, nëpërmjet komercializimit, nëpërmjet përmirësimit të kushteve, të infrastrukturës, të arrijmë që ta rrisim akoma më shumë, ta bëjmë sa më masiv futbollin e vajzave në Shqipëri” – u shpreh Duka ndërsa theksoi edhe punën e FSHF-së ndër vite lidhur me Futbollin e femrave.

Në fakt, Federata, nëpërmjet politikave të saj, ka mbështetur shumë zhvillimin e futbollit të vajzave, pa dyshim të futbollit në përgjithësi, por prioritet ka qenë ai i vajzave, duke e konsideruar në një farë mënyrë veten “të prapambetur”, për numrat dhe objektivat që duhet të arrijmë. Gjithsesi, në vitet e fundit, ne kemi filluar për herë të parë kampionatin e femrave para 12 vitesh, me vajza të rritura dhe tashmë kemi vazhduar me kampionate më të vogla, siç është ky për herë të parë nis sot, me nën 16 vjeçarë. Kemi vazhduar me kampionate nëpër shkolla, e kemi mbështetur shumë, e kemi financuar me baza materiale, me shpenzime operative për skuadrat, trajnimin e stafeve menaxheriale dhe teknike dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Do të vazhdojmë sepse ky është një nga prioritetet tona, futbolli i fëmijëve në përgjithësi dhe futbolli i vajzave në veçanti. Dhe unë jam shumë i sigurt, që të gjithë bashkë, së bashku me stafin e FSHF-së, administratën, me stafet teknike të ekipeve do të arrijmë objektivin tonë që në vitin 2025 ne të arrijmë 4000 vajza që luajnë futboll në Shqipëri. Nuk është objektiv i lehtë, por kam shumë besim që të gjithë bashkë dhe ju që jeni këtu, do ta promovoni te shoqet tuaja që të afrohen rreth lojës tonë. Përfitoj nga rasti që sot t’i bëj një thirrje të gjithë prindërve që t’i sjellin vajzat afër futbollit dhe i garantoj që është më mirë t’i edukojnë përmes futbollit, sesa t’i lënë të kalojnë kohën e tyre me pajisjet elektronike, pasi futbolli si një lojë kolektive, të siguron një jetë të shëndetshme dhe do të jenë më të përgatitura për jetën. Nëpërmjet zgjidhjes së situatave në lojë, do të mësojnë të zgjidhin edhe situata në jetë, kështu që i ftoj prindërit t’i afrojnë vajzat në futboll. Vajzat duhet të ndjekin pasionin e tyre dhe ne do t’i nxisim akoma edhe më shumë. Ju inkurajoj juve që ta vazhdoni lojën, jo vetëm me synimin që të bëheni profesioniste e futbolliste të mëdha, por ju do të jeni të përgatitura edhe më shumë për jetën dhe në fund të ditës do të keni kaluar një dy orësh të bukur duke luajtur, duke u stërvitur dhe duke qenë më të shëndetshme.

Ky është kampionati i parë U-16 në Shqipëri, me 12 ekipe dhe ju uroj shumë suksese dhe një kampionat sa më të mbarë. Futbolli nuk është vetëm garë, pa dyshim që gara e zbukuron lojën, por futbolli është një lojë e bukur dhe duhet ta shijoni, jo vetëm të rendni pas garës. Shumë suksese të gjithëve” – tha Presidenti Duka në fjalën e tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *