Kosova duket se e ka gjetur trajnerin e saj të ri. Pas largimit të Challandes-it, FFK-ja ka nisur punën për të sjellë pasardhësin e tij në krye të pankinës. Ndeshjet e muajit mars po afrojnë, prandaj dardanët nuk dëshirojnë të humbasin më tepër kohë për zyrtarizimin e trajnerit të ri.
“Klan Kosova“ njofton se Alain Giresse do të jetë personi që do të drejtojë përfaqësuesen dardane. 69-vjeçari francez ka mbërritur sot në Prishtinë, ndërsa nesër në orën 14:00 do të bëhet edhe prezantimi përpara mediave.
Giresse e ka nisur karrierën e tij si trajner në radhët e Bordosë, ndërsa më pas ka drejtuar edhe PSG-në. Gjithashtu ish-mesfushori i njohur i “gjelave” ka një eksperiencë të pasur në drejtimin e Kombëtareve, teksa ka qenë në krye të pankinës së Gjeorgjisë, Gabonit, Tunizisë, Senegalit dhe Malit. Madje me këta të fundit ka arritur të marrë vendin e tretë në Kupën e Kombeve të Afrikës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/