Briken Calja është nderuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka mbajtur ditën e sotme një ceremoni për të dekoruar Briken Caljan me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Një vlerësim i madh ky për sportistin që ka bërë krenar të gjithë shqiptarët me medaljet e marra në peshëngritje. Vetë Calja ka shprehur lumturinë e tij për dekoratën e marrë ditën e sotme, ndërsa shkruan në rrjete sociale se vlerësime të tilla e bëjnë të ecë përpara edhe më i fortë.
“Një privilegj i lartë, krenari e veçantë dhe nderim i cili do të më shoqërojë tërë jetën është “Dekorata e Flamurit Kombëtar” që mu akordua sot nga Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta në ceremoninë e mbajtur në ambjentet e Presidencës. Faleminderit z. President për vlerësimin me anë të titullit më të lartë që mund të jepet, dekorata më e rëndësishme e më e veçantë që institucioni i Presidentit të Republikës lëshon për figura të cilat kanë nderuar e nderojnë vendin tonë. Vlerësime të tilla na bëjnë të ecim përpara më të fortë! Jam falenderues pafund kundrejt familjes dhe personave që më kanë mbështetur deri më sot dhe kanë pasur bindjen që mund të arrijmë suksese të mëdha me punë dhe djersë. Krenar pafund! Brikeni”, ka shkruar Briken Calja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/