Kjo javë që lamë pas në Serinë A ishte tërësisht e paparashikueshme. Gjithçka nisi me Milanin që mbante vendin e parë dhe e kishte detyrim fitoren me Salernitanën. Skuadra e cila ndodhej në vendin e fundit dhe që po diskutonte shkrirjen deri në këto javë me 55 gola të pësuar, arriti që të ndalte kuqezinjtë e vendit të parë. E nëse mendohej se Interi do të fitonte për të kaluar Milanin, zikaltërit janë mundur në shtëpi me shifrat 0-2 ndaj Sasuolos.
Fillimisht ishte Juventusi që nuk arriti të mposhte dot në derbi Torinon, ndërsa nga ana tjetër Atalanta humbi me Fiorentinën dhe Lacio u ndal me Udinesen. Pra në gjashtë vendet e para, nuk ka arritur asnjë ekip që të fitojë. Megjithatë duhet thënë se Napoli e luan ndeshjen e saj në ditën e sotme ndaj Cagliarit, për të mbyllur sadopak këtë javë jo normale. /Sport Ekspres/