Matej Delac ka rrëfyer një ngjarje interesante nga koha kur ishte pjesë e Çelsit. Në të njëjtën skuadër me të në atë kohë kanë qenë edhe Nemanja Matiç, Ivanoviç si dhe Begoviç. Portieri kroat ka treguar për “Ikonat e Futbollit” se së bashku me dy lojtarët serb dhe futbollistin boshnjak ishin ulur për të konsumuar ushqim në ambientet e klubit, ndërsa në atë moment vjen Zhoze Murinjo me një aparat fotografik në dorë.
“Branisllav Ivanoviç, Asmir Begoviç dhe Nemanja Matiç ishin ulur në të njëjtën tavolinë në mensën e Çelsit duke ngrënë. Pikërisht pranë dhomës së ngrënies në mensë ndodhen zyrat e punonjësve të ndryshëm të klubit, sekretarëve, etj.. Në një moment, Zhoze Murinjo iu afrua tavolinës sonë me një aparat fotografik në duar dhe me një buzëqeshje të shkurtër, pa fjalë. Ai thjesht na bëri një foto.
Ishim krejtësisht të befasuar kur komentonim mes vete se çfarë po bën menaxheri ynë dhe pse. Pas dhjetë minutash, Murinjo u kthye në tryezën tonë me katër foto që i printoi në njërën nga zyrat dhe ndau një kopje secilit prej nesh me një shpjegim të shkurtër: ‘Nuk kam parë kurrë serbë, kroatë dhe boshnjakë të ulur në të njëjtën tryezë dhe duke qeshur. Merrini këto foto në vendet tuaja dhe shpërndajini ato si shembull’”, ka rrëfyer Matej Delac./Halit Delibashi-Sport Ekspres/