Ekskluzive/ “Vetëm në Shqipëri fle kamarier dhe zgjohesh president”! Dritan Dervishi tregon edhe arsyen e largimit nga Partizani: Nuk doja ndërhyrje…

Dritan Dervishi erdhi si një nga përforcimet e rëndësishme të Partizanit për të punuar në merkaton e dimrit. Pavarësisht se ekipi po drejtohej nga një emër i madh si Ilir Daja, ky i fundit gjithmonë shprehej se kishte pak zgjedhje dhe alternativa. Për këtë arsye Dervishi do të duhej të ndryshonte fatin e këtij sezoni nëpërmjet emrave të sjellë në skuadër.

Disa prej këtyre fryteve po gëzohen edhe nga Mehmeti sot, megjithëse Dervishi duhej të largohej pa kaluar mirë 3 javë. Arsyeja? Në një intervistë për “Sport Ekspres”, njeriu që është aktualisht pjesë e klubit të Veronës është shprehur se nuk dëshironte ndërhyrje. Ndërkohë nuk mund të kaloheshin pa komentuar edhe zgjedhjet në krye të FSHF.

Dritan, fillimisht duhet të pyesim sesi e sheh futbollin shqiptar në krahasim me vetveten, disa vite më parë. Sa hapa para kemi bërë?

Futbolli jonë po ecën përpara por kemi shumë punë akoma për të arritur në elitën ku ne të gjithë dëshirojmë. Duhet të punohet më shumë me moshat dhe ti mësojmë jo vetëm teknikën e taktikën, por duhet t’i fusim në kokë kulturën e punës dhe respektin për tranierët e kundërshtarin. Futbolli është një sport ku fiton gjithmonë ai që e meriton…

Ndërkohë në Shqipëri hyjmë në situatën e zgjedhjeve për presidentin e FSHF. Nëse do të kishe të drejtë vote, do mendoje dy herë apo do e kishe të thjeshtë preferencën?

Unë nuk shikoj alternativ tjetër përveç rizgjedhjes së Armand Dukës. Shikoj presidentin aktual që i përkushtohet 24 orë futbollit dhe zhvillimit të strukturave me fusha stërvitore, stadiume etj. Nga ana tjetër shoh një kandidat që nuk mund të zgjidhet pasi është kryetar bashkie në Tiranë. Pastaj një kandidat tjetër që deri tani nuk e di, si ka mundësi që nuk ka një program ky? Vetëm në Shqipëri ndodh që në darkë flenë si kamarierë dhe në mëngjes të zgjohesh si president. E them me bindje se Duka është i duhuri.

Çuditesh apo të duket normale që kandidati kryesor për të rivalizuar Dukën nuk ka shpallur ende një plan projekt për anëtarët e futbollit?

Nuk ka aftësi për të drejtuar një familje si ajo e futbollit, thjesht po e pret dhuratë nga politika.

Finalja e Conference League në Shqipëri. Mos ndoshta s’po ia kuptojmë mirë vlerën?

Është evenimenti më i madh i gjithë historisë së futbollit tonë dhe në gjithë Ballkanin.

Ardhje dhe ikje nga Partizani, e gjitha në pak kohë. Ishte më shumë si një piknik sesa mundësi për të punuar apo jo?

Unë erdha për të kontribuar dhe për të punuar, piknikun nuk e bëj në Tiranë(qesh). Në këtë skuadër punonva intesivisht në tre javë me trajnerin Mehmeti, organizuam bashkë objektivat e merkatos dhe objektivat e ardhshme. Forcuam, kompletuam stafin teknik. Punova me pasion për 16 orë në ditë për të forcuar grupin e lojtarëve që të sillnim qetësinë e duhur.

Cila ishte realisht arsyeja e largimit nga Partizani, kaq e vështirë për të mbërritur në një mendim të përbashkët me Olsi Ramën?

Po ne kishim dy këndvështrime të ndryshme për futbollin dhe nuk gjetëm një pikë të përbashkët bashkëpunimi. Unë e kam një parim që në detyrën që më ngarkohet, nuk pranoj ndërhyrje pasi kur më jepet një detyrë, nuk dua të gaboj me kokën e të tjerëve. Puna ime si drejtor është që të bashkëpunoj me stafin teknik, të punoj për skuadrën, të forcoj marrëdhënien e klubit me tifozët e të arrijmë së bashku rezultatet që meriton Partizani. Gjej rastin të falënderoj familjen Demi për besimin që më dhanë.

Meqë je pjesë e Veronës dhe Italisë, ke prekur shumë talente shqiptarë me ndeshjet e para nga stadiumi. Kemi shpresë të madhe për të ardhmen?

Jam shumë i sigurt për të ardhmen si në Europë, ashtu edhe në Shqipëri kemi shumë talente. Tani djemtë tanë luajnë titullarë në gjithë ekipet e Italisë, por jo thjesht pjesëmarrës, por titullar të padiskutueshëm. Pastaj FSHF me programet e scouting i afron të gjithë pranë ekipeve kombëtare e mos dëgjoni përrallat që tregohen se paguhet për të ardhur te Kombëtarja. Janë vetëm shpifje që i bëjnë keq imazhit tonë.

Të gjithë flasin për Brojën, nuk mund të na ikësh pa një pyetje të fundit. Nëse do e këshilloje ti këtë djal, çfarë do t’i sygjeroje për merkaton e verës?

Është lojtari i  Chelsea, ekipit kampion të botës. E vetmja këshillë që do t’i jepja është që të punojë shumë, të rri i qetë sepse e ardhmja i takon atij. Është lojtar i Chelsea dhe asnjë nuk mund ta lëviz nga aty. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *