Ndeshjet e Kombëtares po afrohen, njihuni me paraqitjen e legjionarëve në Europë

Fundjava që sapo lamë pas ishte mjaft pozitive për legjionarët e Kombëtares shqiptare që aktivizohen në kampionatet europiane. Gola, debutime, asiste dhe paraqitje mjaft të mira kanë dhuruar futbollistët kuqezi, të cilët jave pas jave po tregojnë cilësitë e tyre të mira. Myrto Uzuni, i cili ndryshoi skuadër, duke kaluar nga Ferencvaroshi tek ekipi i Granadës në La Liga ka debutuar mbrëmjen e kaluar në ndeshjen ndaj Realit të Madridit. Sulmuesi kuqezi e nisi ndeshjen që nga minuta e parë dhe luajti për 80 minuta, duke dhuruar një paraqitje të kënaqshme në radhët e skuadrës së tij, teksa vlerësimi përfundimtar i uebsajtit të specializuar për statistika “SofaScore” ishte 6.9.

Sakaq, një tjetër “debutim”, kësaj radhe që nga minuta e parë ishte edhe për futbollistin e Shpresave, Kristjan Asllanin. Në ndeshjen ndaj Bolonjës, mesfushori shqiptar që luan në radhët e Empolit u aktivizua si titullar dhe luajti për 90 minuta, teksa më parë kishte luajtur vetëm si zëvendësues. Asllani bëri një ndeshje të mirë, ndërsa u vlerësua edhe nga trajneri i skuadrës, Aurelio Andreacoli. Edhe Nedim Bajrami pati minutat e tij nën këmbë në këtë ndeshje, duke u aktivizuar që nga minuta e parë e më tej u zëvendësua nga shoku i tij i skuadrës.

Një tjetër element i Shpresave la gjurmë në ndeshjet e kësaj jave. Bëhet fjalë për Bernard Karricën, i cili shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij, në sfidën ndaj Osijeku. Ky ishte edhe goli i parë për futbollistin kuqezi në kampionatin kroat. Karrica konsiderohet si një nga talentet e së ardhmes në kampin kuqezi.

Ernest Muçi ishte sërish protagonist në Poloni, teksa shënoi një tjetër gol për Legian e Varshavës brenda pak ditëve në një sfidë miqësore që skuadra e tij zhvilloi këtë fundjavë ndaj GKS BelchatoW.

Minuta në fundjavë ka pasur edhe për futbollistë të tjerë të Kombëtares, që nga Thomas Strakosha, i cili ka qenë një element mjaft i rëndësishëm për Lazion në ndeshjen e fituar ndaj Fiorentinës, teksa u aktivizua edhe Elseid Hysaj. Berat Gjimshiti gjithashtu ka qenë titullar tek Atalanta, ndërsa paraqitje të mirë ka dhuruar edhe Armando Broja, i cili e nisi ndeshjen nga stoli, por la shenjë në fitoren që Southampton arriti ndaj Coventry City-t, duke dhënë asistin e tij te goli i fitores në shtesat e ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *