Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Presidenti i FIFA-s nuk ka luajtur futboll (në nivele profesioniste). Edhe kreu i UEFA-s jo, është jurist nga Sllovenia. Rëndësi nuk ka presidenti, por institucioni, organi ekzekutiv vendimmarrës. Natyrisht, valencat e Dukës si president i FSHF-së janë të shumëfishta, si ideator, vizionar, në menaxhim, marekting etj. etj. Ai siguron paratë për të ndërtuar stadiume moderne si “Arena Kombëtare”, apo shtëpinë e futbollit. Falë punës së tij nuk kemi më futboll në baltovina, të paktën në Superiore.
Po marrim në shqyrtim rastin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Duka e ka respektuar kriterin futbollistik, duke pasur në organin vendimmarrës 3-4 ish-futbollistë. Në KE aktual kemi Bardh Jerën, Abdyl Kuriun, Vasil Bicin. Dikur kanë marrë pjesë aty Mujo Targaj, Kreshnik Cipi e të tjerë. Pra, njerëzit që vijnë nga futbolli i fushës kanë qenë vijueshmërisht të përfaqësuar në ekzekutiv. Me kaq ish-futbollistë apo trajnerë në KE, futbolli është plotësisht i përfaqësuar.
Parë në këtë këndvështrim, bëjmë një analizë: kush janë anëtarët e komitetit ekzekutiv të UEFA-s… Thujase asnjëri prej tyre nuk është ish-futbollist i shquar. Shumica vijnë nga marketingu, menaxhimi, ekonomia, jurisprudenca… Pra, janë njerëz me kontribute të njohura në fushat e tyre. Nuk e ka fajin Duka pse nuk funksionon asambleja zgjedhore, se anëtarët me të drejtë vote nuk diskutojnë, nuk ngrenë probleme… Besoj se edhe në Komitetin Ekzekutiv, revolucioni që ka bërë Duka është i madh.
Aty ka përfshirë inxhinierë e menaxherë të zotë si Arben Dervishaj e Edvin Libohova, sepse administrata e futbollit nuk është e njëjta gjë si të luash futboll në fushën e blertë. Drejtimi dhe menaxhimi i një institucioni si FSHF-ja kërkon njerëz vizionarë, të aftë të gjenerojnë para për futbollin, luajalë me UEFA dhe FIFA për të siguruar mbështetjen e tyre, e cila në kohën e Dukës ka qenë maksimale.
Natyrisht, emra të spikatur, me vizion perendimor ka Shqipëria jonë për në KE. Nga jashtë mund t’i bëjnë nder Komitetit Ekzekutiv, emra të tillë si Igli Tare, Lorik Cana, Eduard Abazi, Roland Luci, Ervin Skela, Altin Lala, Edmond Dosti. Nga ish-ët që jetojnë në Shqipëri do të përmendnim Jerën, Kushtën, Ballgjinin, Vasil Ruci, që shpresojmë t’i shohim si kandidatë dhe të votuar nga asambleistët e 2 marsit.