Bedri Greca është njeriu që ka vendosur ndeshjen mes Kastriotit dhe Dinamos. Krutanët arritën që të fitonin me shifrat 2-0, falë realizimeve në pjesën e dytë. Në të parën skuadra e Celës ka zbatuar planin e saj për t’i ndaluar kundërshtarëve që të luajnë futboll, duke u krijuar fare pak raste.
I vetmi moment i rrezikshëm ishte minuta e 13 ku pasi Denilson merr bukur krahun dhe nxjerr me portën e boshatisur Cinedu, ky i fundit vepron si të ishte mbrojtësi i Kastriotit, duke nxjerrë topin jashtë. Me nisjen e së dytës, Kastrioti goditi rivalin në shansin e parë. Greca la mbrapa Maliqin dhe mposhti Simonin, pasi u gjend përballë tij.
Lojtari nisi që të festonte duke u lutur, por me siguri që lutjet ishin për fundin e trishtë të Dinamos. Greca nuk tregoi mëshirë as në minutën e 69 duke mbyllur historinë e ndeshjes. Tanimë Kastrioti është rikthyer me plot kuptimin e fjalës në Superiore, për të kërkuar mbijetesën, ndërsa Dinamo zhytet gjithmonë e më tepër. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Cela: “Greca është një nga pikat më të forta. E ndërtojmë mënyrën e lojës për të shfrytëzuar aftësitë e çdo lojtari. Ne i kishim marrë informacionet që Dinamo do të luante me 2 sulmues dhe u munduam që të aplikonim presingun ultra ofensiv. Pas minutës së 20-të u vonuam dhe me vështirësi e futëm ekipin në ekuilibër. Në momentet që na digjnin linjën e presingut, patëm vonesa në ekuilibrin e ekipit. Dalja e Salit? Në momentin e parë, ajo që më erdhi në mendjen është të futesha në fushë dhe ti bëja sparkatë Denisonit”.