Shitja e Ricci-t i hap rrugën lojtarit shqiptar, presidenti dhe drejtori sportiv i Empolit e pranojnë: Asllani ka të njëjtën perspektivë

Empoli po rrit filiza të rinj në fidanishten e tij, që menjëherë janë vënë në vëzhgim nga klubet italiane. Samuele Ricci ishte lojtari 20-vjeçar që u shit në drejtim të Torinos dhe fatin e tij pritet ta kenë shumë talente të tjera të skuadrës toskane. Largimi i italianit i hap rrugën një tjetër futbollisti me të ardhme siç është Kristjan Asllani, i cili mban po të njëjtin pozicion në fushën e lojës.

Lojtari i Kombëtares Shpresa ka marrë minuta në Serie A, por tashmë do të ketë mundësinë të jetë më i rëndësishëm në planet e trajnerit. Një gjë të tillë e pranojnë edhe presidenti dhe drejtori sporitv i Empolit.

Fabricio Corsi për shitjen e Ricci-t është shprehur se: “E shitëm Ricci-n, i cili ishte shumë i rëndësishëm për ne. Klubi ka nevojë të sigurojë llogarinë e tij dhe na vjen keq që na duhej ta shisnim. Kemi një tjetër lojtar të 2002-shit që besojmëse ka të njëjtën perspektivë si Samuele”.

Ndërkohë në krahun tjetër, drejtori sporitv, Accardi, ka deklaruar: “Sa i përket shitjes së Ricci-t, mund ti kuptoj dyshimet por shitja është diktuar nga dy arsye. Një teknike, sepse kemi dy lojtarë të rëndësishëm si Asllani dhe Stulac, pastaj mundësia ekonomike në një moment të caktuar të futbollit italian”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *