Sa shumë rastësi, i gjithë shteti në këmbë për të luftuar futbollin!

Nga Syri. Net

Futbolli shqiptar në fushën e lojës po vazhdon aktivitetin normal, por jashtë fushës së blertë situata nuk duket fort e qetë. Shteti, që gjithmonë ka qënë i painteresuar për futbollin, mbarëvajtjen e tij dhe krijimin e lehtësirave për rritjen e  qëndrueshme, këtë herë ka vendosur në dispozicion të kamikazëve të gjithë instrumentat për ta luftuar dhe goditur sportin më të luajtur në Shqipëri.

Pas presioneve të vazhdueshme nga eksponentët e politikës mbi komunitetin e futbollit dhe delegatët e shoqatave e klubeve në zgjedhjet e Shoqatave Rajonale të Futbollit për ti diktuar atyre zgjedhjen e personave të caktuar apo edhe mospjesëmarrje në Asambletë e zhvilluara, paralelisht autoritetet shtetërore si Prokuroria, Krimi Ekonomik dhe Inspektoriatet Ndërtimore kanë nisur një valë të paprecedent sulmi dhe terrori ndaj njerzve të futbollit.

Në mënyrë krejt “rastësore” institucionet tatimore u lëshuan ndaj bizneseve të të familjarëve të drejtuesve më të lartë të FSHF, që u justifikuan nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, si vizita rutinore pas denoncimeve të qytetarëve që erdhën ditën pas deklaratave të tmerrshme të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ku shprehej se do pasi të bënte shurrën në zyrat e FSHF në Tiranë do të lëshohej në të gjithë Shqipërinë.

Në fakt ashtu ndodhi, kamikazët e shtetit me urdhër politik nuk kanë të ndalur në terrorizimin e trajnerëve, mësuesve e përfaqësuesve të klubeve. Rasti më i fundit është ajo që ka ndodhur në Gjirokastër, ku një ditë pas Asambles së Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, Njësia e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër ka nisur të hetojë dhe thërrasë delegatët e Asambles. Bëhet e qartë se kemi një përdorim të qartë të pushtetit dhe të drejtësisë në favor të atyre që betoheshin se skishte Jesus e Muhamed, FIFA e UEFA për t’i ndalur në çmendurinë e tyre për kapjen e çdo pushteti.

Kryeministri Rama në emisionin Open të Eni Vasilit u shpreh se nuk ka asnjë përfshirje të tij në këtë proces. Qesharake tingëllon kjo përgjigje ndërkohë që Ministrat e tij Niko Peleshi, Mirela Kumbaro e me dhjetëra Kryetar Bashkish nëpër Shqipëri shantazhojnë e heqin nga puna çdo trajner, mësues, shef klubi e ish futbollist që nuk është në krahun e tyre. Historia duket se përsërit veten, me Ramën që gjithmonë nuk ka dijeni për kontrata miliona dollarëshe që firmosin vartësit e tij dhe aktivitetin e tyre të përditshëm.

Thjesht ndihet edhe ai, si komuniteti i futbollit, i çuditur nga ky sulm i paprecedent dhe i rastësishëm. Duhet theksuar: I rastësishëm. Sot gjithmonë e më shumë po bëhet e qartë se shteti është ngritur në këmb për ta luftuar futbollin. Arsyeja? E gjeni te audio-përgjimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ku shprehet: është i vetmi ishull që nuk kemi NE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *