Në 29 mars, Kosova do të përballet në një miqësore me Zvicrën. Lojtarët e përfaqësueses dardane mezi po e presin për këtë përballje, për shkak se në Zvicër luajnë disa futbollistë me origjinë shqiptare, si Shaqiri, Zeqiri, Xhaka dhe Imeri.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, u shpreh mjaft i lumtur për këtë përballje, në një intervistë për median “Koha.net”, ku mezi pret takimin me këtë kundërshtar cilësor.
“Ndeshja me Zvicrën sigurisht se do të jetë speciale dhe e mirëpritur për të gjithë futbollistët. Do të jetë një miqësore me një kundërshtar shumë të fortë, që është dëshmuar tashmë në kampionate evropiane dhe botërore. Do të jetë një takim shumë interesant ndaj një kundërshtari tejet cilësor. Te Zvicra aktivizohen lojtarë nga Kosova dhe do të jetë takim emocionues.
Gjithashtu edhe te ne ka lojtarë që në të kaluarën kanë luajtur për gjeneratat e reja të Zvicrës. Shpresojmë që të luhet me tifozë pasi dihet që në Zvicër ka shumë shqiptarë dhe do të ishte fantastike të luajmë para tyre”, ka thënë Rrahmani për KOHËN. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/