Përparim Daiu ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine“ në “Ora News“. Trajneri shqiptar ka komentuar skuadrat e “Abissnet Superiores“ dhe shprehet se Laçi do e vuajë shumë largimin e Regi Lushkjas. Daiu e sheh Tiranën një hap përpara të gjitha skuadrave të tjera në kampionatin shqiptar dhe kjo edhe si meritë e trajnerit Shehi. Vëmendjen e kalon më pas edhe te trajnerët e huaj të Superiores, Brdariç dhe Longo, të cilët i sheh si agresivë në drejtimin e ekipeve si dhe në deklaratat e dhëna në media.
“Do ta vuajë jashtëzakonisht. Do të shohim kush do ta zëvendësojë Regin. Po të shohim, edhe merkatoja dimërore e Laçit nuk ka qenë me prurje të mëdha, por lojtarë të pranueshëm, lojtarë që Laçi di ti kultivojë. Lojtarë të rinj, që me kalimin e kohës përfiton, ashtu siç përfitoi me Regi Lushkjan dhe Deliun. Kjo është një strategji e presidentit të Laçit që ka rezultuar efikase dhe pozitive.
Të dy ekipet që kryesojnë, si Tirana, ashtu edhe Laçi, drejtohen nga dy trajnerë që transmetojnë te ekipi i tyre qetësi. Është një hap përpara Tirana. Përpara Laçit dhe përpara gjithë skuadrave të tjera. Është një skuadër harmonike, që ka ekuilibër midis reparteve. Ajo që bën diferencën, ka sulmin më të frikshëm, sulmin më të mirë. Kur shënon shumë frikëson edhe kundërshtarët.
Jo më kot theksova se dy trajnerët që kryesojnë transmetojnë qetësi. E kundërta me dy trajnerët e huaj. Si Brdariçin, edhe Longon, i shoh shumë agresivë. Agresivë në drejtimin e skuadrë, agresiv në komente në shtyp si në atë të shkruar edhe atë viziv pas ndeshjes. Nuk e gjejnë defektin te vetja e vetë, por e spostojnë shpesh herë. U çudita me deklaratën e Longos, shkoi deri të menaxheri.“, ka deklaruar Përparim Daiu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/