U zhvilluan ketë të enjte punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan. Përpara nisjes së mbledhjes, u mbajt një minutë heshtje në nder të Arben Lazes, Presidentit i klubit të Elbasanit që u nda nga jeta pak ditë më parë.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i pranishëm në këto punime uroi të gjithë anëtarët për arritjet në futboll në qytetin e Elbasanit përgjatë këtyre viteve, teksa garantoi se nuk do të mungojë mbështetja e FSHF-së për të zhvilluar edhe më tej futbollin në këtë qytet.
“Të nderuar anëtarë! Ju falenderoj për ftesën. Në emër te Federatës Shqiptare të Futbollit gjej rastin t`ju garantoj se mbështetja e FSHF do të jetë e vazhdueshme dhe Elbasani do të vijojë të mbetet një qendër e zhvillimit të futbollit amator dhe profesionist në Shqipëri. Ky stadium është kthyer jo vetëm në një simbol të arritjeve tona të përbashkëta ndër vite, por edhe në nje shtëpi ku të gjithë ne takohemi, qajmë hallet, bëjmë planet për te ardhmen dhe gëzojmë per fitoret. Dëshiroj t’ju përgëzoj per organizimin e shkëlqyer dhe te shpreh bindjen se tashme futbolli amator në Elbasan është në rrugë të mbarë. Urimet më të mira dhe punë të mbarë!”, – u shpreh Kuriu.
Më tej, punimet vazhduan sipas rendit të ditës, ku si pikë kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, ku propozimi i vetëm unanim i shprehur nga anëtarët prezentë me të drejtë vote ishte z.Ilirjan File, i cili gjithashtu u zgjodh në krye të kësaj Shoqate me vota unanime. Në fjalën e tij, File falendëroi anëtarët e SHRF Elbasan për mbështetjen dhe zgjedhjen si kryetar i kësaj shoqate, teksa premtoi se do të bëjë më të mirën për futbollin e Elbasanit, për ta ngritur sa më shumë dhe për të shtuar numrin e futbollistëve nga ky qark.
“Në radhë të parë falënderoj të gjithë anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan për mbështetjen dhe për propozimin për mua si kryetar. Kjo është një përgjegjësi e madhe, por unë jam mësuar me përgjegjësi, sepse kam punuar si trajner, kam punuar në Zyrën Rajonale të Elbasanit dhe e di dhe e vlerësoj punën që do bëj te kjo shoqatë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë anëtarët e Shoqatës. Gjithmonë dera e Zyrës Rajonale ka qenë e hapur dhe dera e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë anëtarët dhe për ata që duan të krijojnë shoqata të reja, për ta ngritur sa më shumë nivelin e futbollit, shtimin e fëmijeve, lojtareve femra dhe meshkuj, që të jetë sa më e madhe prezenca e tyre.
Si kryetar Shoqate, do ta ngre më shumë zërin te FSHF-ja, por edhe te bashkitë e qarkut tonë, që të kemi sa më shumë fusha futbolli, terrene sa më shumë të mira, që të kemi sa më shumë futbollistë dhe futbolliste në qarkun tonë”, – u shpreh Ilirjan File. Gjithashtu, një tjetër pikë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e përfaqësuesit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan në Asamblenë e Përgjithshme zgjedhore të FSHF-së, ku në fund të votimit u zgjodh Xhanini Laze. Procesi i Asambleve të Përgjithshme në Shoqatat Rajonale të futbollit do të vazhdojë në ditët e javët në vazhdim në zonat e tjera.