Leotrim Bekteshi i ka dhënë fund eksperiencës së tij te Prishtina. Vetë klubi kryeqytetas ka njoftuar largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj në këto tre vite e gjysmë. Mbrojtësi ka luajtur 150 ndeshje me fanellën e Prishtinës, ku ka fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Gjithashtu është përzgjedhur edhe në formacionin e vitit nga FFK-sa. Bekteshi ka mbajtur në krahun e tij edhe shiritin e kapitenit, por tashmë ka vendosur të lërë bardheblutë dhe të largohet në Norvegji, ku do të bashkohet me familjen e tij.
“Faleminderit Leo! Leotrim Bekteshi nuk është më pjesë e Prishtinës. Bekteshi është një ndër futbollistët që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në skuadrën më të madhe në vitet e fundit. Ai me Prishtinën në tri vite e gjysmë sa ishte pjesë i ka regjistruar 150 paraqitje derisa e ka fituar titullin kampion, Kupën e Kosovës si dhe Superkupën. Bekteshi, i cili në shumë ndeshje e ka bartuar edhe shiritin e kapitenit, ka edhe trofe individuale si futbollist i Prishtinës derisa është përfshirë edhe në formacionin e vitit nga Federata e Futbollit e Kosovës për edicionin e fundit. Bekteshi ka vendosur që ta vazhdojë jetën së bashku me familjen e ngushtë në Norvegji. Stafi i FC Prishtina e falenderon nga zemra Leon për mundin dhe djersën e derdhur për fanellën kryeqytetase”, njofton klubi i Prishtinës në faqen zyrtare në “Facebook”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/