“Unë te Fiorentina? Kurrë, do tradhëtoja tifozët e Sienës”, Bogdani i sugjeron Kumbullën violëve: Roma gaboi që nuk i besoi

Marash Kumbulla është përfolur për një kalim në Firence, të cilin duket se e mbështet edhe patrioti i tij, Erjon Bogdani. Ish-sulmuesi i njohur shqiptar ka dhënë një intervistë për “Firenzeviola.it”, ku tregon se Kumbulla do të përshtatej mjaft mirë me mënyrën e lojës së trajnerit Italiano. Bogdani kritikon menaxhimin e lojtarit kuqezi nga ana e Romës, që sipas tij duhet të tregohej më e duruar dhe të besonte më tepër te aftësitë e një mbrojtësi të perspektivës siç është Kumbulla. Ndërkohë i pyetur për të shkuarën e tij, golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares sonë është përgjigjur se nuk ka qenë asnjëherë pranë transferimit te Fiorentina, pasi diçka e tillë do të mërziste tifozët e Sienës.

Kumbulla në formacionin vjollcë

“Marashi është një lojtar shumë i mirë, ai është ende i ri dhe ka shumë perspektivë. Ai mund të luajë shumë mirë në një mbrojtje me tre lojtarë, por edhe me katër lojtarë. Është në gjendje të lexojë shumë mirë veprimet, ka një këmbë “të sjellshme” dhe është i fortë me kokë. Me mënyrën si luan trajneri Italiano mund të bëjë shumë mire (te Fiorentina). Atëherë të mos harrojmë se ai është i datëlindjes 2000 ndaj ka kufij të rëndësishëm përmirësimi”.

Rënia e performancës në Romë

“Më vjen keq që ai nuk është në gjendje të bëjë para në kryeqytet dhe që nuk gjen hapësirë. Për mendimin tim, klubi ka gabuar që nuk e ka pritur dhe nuk i ka besuar. Mbrojtësit e shtatit të tij duhet të luajnë shumë për të gjetur vazhdimësinë e duhur. Ai nuk mund të performojë mirë nëse luan kaq pak”

Kam qenë ndonjëherë pranë Fiorentinës?

“Në fakt jo. Duke luajtur me Sienën, nuk do të kisha mundur kurrë të shkoja në Firence sepse do të kisha tradhtuar tifozët e Sienës. Do të më pëlqente të luaja atje sepse ata janë një ekip shumë i fortë”, ka deklaruar Erjon Bogdani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *