Nga prof.dr. Xhevdet ZEKAJ
Viti 2022 do të ketë edhe përballjen për kreun e FSHF-së. Shumë janë munduar ta rrëzojnë nga froni i mbi dy dekadave Armand Dukën, por askush nuk ia ka dalë as ta rrezikojë. Nuk e kanë “pickuar” dot as në fillimet e tij, kur zyrat e FSHF-së ishin në kushte mjerane tek ish-stadiumi “Qemal Stafa” apo mbas ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, jo më tani që në “pajën” e vet presidenciale, Duka ka mbi të gjitha kualifikimin historik në “Euro 2016”, fusha të gjitha në Superiore ku nuk të bie këmba në baltë, stadiume moderne në Elbasan dhe Shkodër, për të mbërritur “te qershia mbi tortë”, “Arena Kombëtare”.
Të mos flasim për projektin më të fundit, i cili përfshin zyrat e reja moderne të FSHF-së me gjithë fushat përkatëse, heqjen e pagesave te zyrtarëve, projektin “Topi yt”, tarifën e kompensimit për shoqatat dhe akademitë, heqjen e pagesave të fushave për ndeshjet dhe uniformat falas. Këto zëra financiarë janë pjesë e konsiderueshme e buxhetit për futbollin e fëmijëve.
Natyrisht, perfeksioni nuk ekziston në këtë botë. Mund të ketë edhe ndonjë gjë që nuk ka shkuar si duhet, por e përgjithshmja është tejet pozitive në futbollin shqiptar, sidomos në planin infrastrukturor, të zgjerimit institucional nëpër zona rajonale, të vënies së futbollit të të rinjve dhe femrave në shina të sigurta. Progresi ka qenë i dukshëm nga mandati në mandati, ndaj Armand Duka është si thuhet në futboll “kampioni për t’u mundur”.
Sfidanti i tij me gjasë do të jetë ish-komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha. Një njeri i afërt me Dukën, avokatinë e punës së të cilit e ka bërë me pathos në të gjitha zgjedhjet e shkuara për kreun e FSHF-së. Tashmë, ashtu si ish-sekretari i përgjithshëm Eduard Prodani, edhe Shako gjendet në anën tjetër të llogores. Do të sfidojë Dukën në fushën e tij, ku ndihet tejet komod, sepse ka cfarë të tregojë nga futbolli i moshave deri te kombëtarja e madhe kuqezi.
Sfidantët flasin për federata rajonale, ndërkohë që zyrat rajonale (zgjatim institucional i FSHF-së) kanë vite që ekzistojnë. Sfidantët bëjnë fushatë me një fushë të përbaltur në Përmet, ndërsa Duka iu përgjigjet nga moderniteti i “Arena Kombëtare”. Sa e sa kontrastesh të tilla gjasme ide të mëtuesve të kreut të FSHF-së me realitete të stërmëdha që Duka i ka përmbushur tashmë do të dëgjojmë deri në ditën e zgjedhjeve. Natyrisht, respekt duhet pasur në cdo betejë futbollistike, qoftë kjo edhe për kreun e FSHF-së.
Duka e ka treguar përherë këtë lloj qasjeje, por fakti është se i kundron të gjithë nga “Olimpi”. Disa mandate radhazi me suksese dhe vepra të tilla infrastrukturore që dikur himnizoheshin edhe nga vetë Shako janë avantazhi sipëror i kreut të FSHF-së në fuqi. Pastaj petku si anëtar i KE së UEFA-s e bën pozicionin e tij të pacënueshëm nga “pesha” shumë herë më të rënda.
Kësisoji, akuza si ato të Prodanit në ditët e fundit nuk mjaftojnë dot as për gudulisje të Dukës, që qartësisht shkon i qetë drejt rikonfirmimit të radhës në krye të futbollit shqiptar. Natyrisht, akuza do të ketë shumë, sepse po flasim për fushatë zgjedhore, por si thotë populli, “minarja nuk futet dot në thes”. Sukseset që numëruam më lart mjafton të vendosen në gojën e Shakohoxhës deri para disa muajve për të kuptuar se nga anon peshorja. E thënë ndryshe, kur të vijë fjala për zgjedhje të anëtarëve të asamblesë, do të jetë njësoj si të zgjidhet mes “Qemal Stafës” së dikurshëm dhe “Arena Kombëtare” të sotme…