“Në gjithë historinë tonë nuk kemi qenë kaq mirë”, Shulku: Reja di si të bëjë grup, nuk është vënë në dyshim asnjëherë

Ilir Shulku ka dhënë një intervistë për emisionin “Skaner” në “MCN TV”, ku ka folur ndër të tjera për Kombëtaren kuqezi. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së e cilëson si mjaft pozitiv vitin 2021 për ekipin tonë kombëtar, të cilët ia dolën të renditeshin të tretët në grup duke lënë pas Hungarinë si dhe duke i shkuar fare pranë “play off”-it për Kupën e Botës. Sa i përket trajnerit Reja, Shulku thekson se pavarësisht faktit se është i përfolur për moshën e tij të madhe, kreu i pankinës së Shqipërisë është mjaft vital dhe se di si të bëjë një grup të fortë.

“Ka qenë një vit i suksesshëm, pasi këtë e tregojnë edhe rezultatet. Shqipëria ka marrë vendin e 3-të në grup, që në fillim thuhej se do të ishte një arritje. Përpos kësaj kemi qenë deri në ndeshjen e parafundit në garë për vendin e dytë. Në të gjithë historinë tonë, nuk kemi qenë kaq mirë. Mungesat të formacionit bazë ndaj Polonisë, janë shumë për ne. Gjithë edicioni ka qenë pozitiv. Kundërshtarë si San Marino dhe Andorra, kemi pasur gjithmonë në grup. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë. Përveç kësaj kemi pasur 3 kundërshtarë shumë të vështirë. Anglia ka kombëtaren më të mirë të viteve të fundit.

Do të ishte sukses nëse linim një nga Polonia ose Hungaria prapa dhe ia dolëm. Kombëtarja e Shqipërisë me 6 titullarë mungesë, përsëri luajti mirë ndaj Polonisë. Nëse do i kishim lojtarët që munguan, jam i bindur që do të kishim rezultat tjetër. Pa diskutim që kemi një trajner shumë të mirë. Unë e them me bindje, që pavarësisht moshës, është një trajner vital, di të bëjë grup dhe di të mbajë grupin. Nuk është vënë asnjëherë në diskutim e ardhmja e Rejës. Kontratat ndërpriten, kur rezultatet ose loja nuk janë mirë. Këto për ekipin tonë kanë ecur shumë mirë dhe nuk ka pse diskutohet kjo pjesë.”, ka deklaruar Ilir Shulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *