Vllaznia-Kukësi ka rezultuar një super ndeshje, ku nuk ka pasur fitues mes dy ekipeve, ndërsa në fund fitoi futbolli. Një ndeshje shumë e luftuar nga të dy ekipet dhe me spektakël në fushën e lojës. Shkodranët kaluan të parët në avantazh që në minutën e 9 me anë të Latifit. Dy raste të pastra dhe të pabesueshme janë humbur nga Gjurgjevic, për t’u ndjekur nga të tjera gabime që kanë bërë shkodranët në momentin e konkretizimit.
Nga ana tjetër Puntus i ndëshkoi me mundësinë e parë që iu dha, duke lënë mbrapa Adilin, për të gjetur rrjetën. Kështu Vllaznia del nga fusha me rezultatin që nuk e dëshironte, ndryshe nga Kukësi. Nga krahu tjetër Egnatia ka befasuar Teutën në transfertë. Dy gola kanë ardhur nga Artur Magani, ndërsa shkurtimi i diferencave që bëri Gjeorgjiev i shërbeu vetëm statistikave. Në fund trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Magani (Egnatia): “Ndihem shumë i çliruar me këto dy gola, tani jemi më të qetë. Shpresoj shumë që të vazhdoj e të shënoj. Skuadra pret që sulmuesi të shënoj gola dhe unë do të bëjë më të mirën time. Dua të kthehem në formën më të mirë. Jam i bindur që e gjitha familja ka festuar për këto dy golat e mi, ashtu si edhe babai apo ish-trajneri im. Ashtu si nuk ka pritur mirë këto humbjet e fundit”.
Longo (Kukësi): “Në pjesën e parë nuk ishim mirë. Mund të ketë qenë pjesa e parë më e dobët e këtij sezoni. Më pas u përmirësuam dhe u munduam që ta fitonim ndeshjen me karakterin tonë. Vllaznia është ekip i mirë dhe ky është karakteri ynë, është shpirti ynë. Ne jemi një dhe shpirti ynë del në pah me këta rivalë. Duke filluar që nga punëtori i fushës e deri te lojtari i fundit, ne jemi bashkë. Ne stërvitemi në një fushë 90 me 50 dhe me bar sitentik, këto janë kushtet dhe duhet t’i pranojmë“.
Martini (Teuta): “Krijuam raste në pjesën e parë, nuk arritëm që të shënonim. Këto ndeshje duhen fituar me patjetër. Mua personalisht më vjen turp nga kjo humbje sot. Kisha shumë besim kur ishim duke humbur 0-1 që do ta kthenim rezultati, por nuk rezultoi kështu”.
Ramadani (Egnatia): “Prisnim fitore më herët, jo ndaj Teutës. Gjithmonë duam që të fitojmë dhe na erdhi sot. Përvec tre pikëve, ne kemi fituar një qetësi. Këto pushime do t’i bëjmë ashtu si duhet, që të pushojë edhe truri i lojtarëve, jo vetëm muskujt. Ka qenë tension i madh. Kishim edhe pak fat sot, shënuam dy gola dhe menaxhuam mirë rezultatin. Kishim mungesa të mëdha dhe stoli ynë ishte shumë i dobët. Kisha frikë se do lodheshin lojtarët tanë në fushë”.
Brdariç (Vllaznia): “Sot kemi parë këto shanse të humbura nga ana jonë. Por unë jam krenar nga djemtë e mi, pasi të luash me këtë stil loje ndaj Kukësit, jam shumë i lumtur. Duhet të shënonim edhe një gol pas gjithë atyre rasteve të humbura, por sytë i kemi përpara. Sigurisht se ishte një pikë e fituar me zotësi dhe nuk janë dy pikë të humbura. Po zhvillohemi ende”./Sport Ekspres/