Laçi ka marrë fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e fundit të këtij viti futbollistik ndaj Kastriotit. Heroi i kurbinasve ishte Regi Lushkja që e hapi takimin në minutën e 9 dhe e mbylli në të 83. Fillimisht Lushkja dhuroi një perlë nga distanca duke mos i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar.
Në pjesën e parë ishte dominim i dukshëm i Laçit dhe Kastriotit nuk shihej në fushë. Ndërkohë pjesa e dytë dhuroi tjetër panoramë, me krutanët që po e kërkonin golin e ngulm. Për t’i shuar shpresat mendoi sërish Lushkja që kaloi portierin për golin e dytë.
Kështu shkohet në festa me Mirel Josën që i ka bërë kurbinasit të besojnë sërish te “Babagjyshi i Vitit të Ri”. Pas nisjes skandaloze të sezonit, Laçi arrin që të marrë vendin e dytë dhe numërojnë vetëm një humbje me Vllazninë dhe një barazim me Partizanin, duke i fituar të gjitha ndeshjet e tjera me Josën në krye. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Josa: “Skuadra ishte me këmbë në tokë, nuk mendoi se e kishim të fituar ndeshjen më herët. Ishte një nga ndeshjet më të vështira gjatë kësaj periudhe 5 javore. Ishte ndeshja e fundit e vitit. Ndeshje jo e mirë? Më shumë ndikoi lodhja se nënvlerësimi. Kastrioti ishte vendosur mirë dhe duhej të bënim më mirë ne për t’i thyer në mbrojtje. Goli i parë i Lushkjas na vuri pak në gjumë. Në këto raste jam i kënaqur që nuk pësuam pasi Kastrioti kishte dy mundësi të mira. Nëse Kastrioti do të na shënonte, do e kishim shumë të vështirë. Cdo trajner mirëpret lojtarët me cilësor. Presidenti më ka thënë se do të bëjmë 2-3 afrime”.