Editorial/ Sa e vështirë për ne shqiptarët që të themi…FALEMINDERIT!

Nga Klaudio Ndreca

Gjuha shqipe është kaq shumë e bukur dhe e larmishme për t’u shprehur në rastet kur kemi mirënjohje të madhe, e kur njëkohësisht duam që t’i dërgojmë përgëzimet tona një personi për sukseset që ka arritur në emrin tonë të përbashkët. Por në një vend si ky i yni, ku asgjë nuk është siç paraqitet, teoritë konspirative janë pjatë e parë në tryezë. Gjithmonë shihen prapaskenat dhe ideohen mënyra të ndryshme, edhe duke trilluar, për të dalë në shpjegimin e përfundimit.

Ajo që duam të ri sjellim në vëmendje dhe të trajtojmë, jo pa qëllim, është De Biazi. Shumëkush vazhdon të shprehet se merita kryesore e atij kualifikimi në Europian ishte Ballist Morina, shumëkush po vazhdon të shprehet se merita kryesore e atij kualifikimi ishte Armenia e dorëzuar në ndeshjen e fundit ndaj Shqipërisë apo edhe gafa fatale që bëri Danimarka duke barazuar me Armeninë, në një ndeshje finale.

Por askush nuk vazhdon që të japi merita për De Biazin që fitoi ndaj Portugalisë, që barazoi dy herë me Danimarkën, që e mbajti Francën në shtëpinë e saj dhe në grupet e Europianit me “zemër të ngrirë” deri në minutën e fundit ndaj Shqipërisë për të shënuar një gol, që luajti si e barabartë me Zvicrën me 10 lojtarë dhe që në fund, mori fitoren e parë historike me Rumaninë në fazën e grupeve.

Sigurisht që një bonus i madh në atë kualifikim ishte edhe mbrojtja që bëri FSHF ndaj Serbisë për të marrë tre pikët në tavolinë. Por të njëjtën gjë Federata e bëri edhe me lojtarin Nedim Bajrami, duke realizuar një ëndërr të pamundur për të marrë futbollistin që kishte vëmendjen e të gjitha ekipeve në Serinë A, duke dalë përtej rregullave. Por nëse De Biazi diti që ta shfrytëzojë bonusin, Reja nuk e ka bërë ende.

Por përse po e hapim sërish këtë temë në këto momente? E thjeshtë, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani. Për t’u kthyer pas në kohë kur De Biazi zgjodhi që të lërë jashtë katër lojtarë që duhet të bënin gati valixhet dhe të mos niseshin për në Francë: “Herolind Shala, Berat Gjimshiti, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani”.

Për të qenë të sinqertë deri në fund, Gjimshiti kishte dhënë kontributin e tij në disa ndeshje kyçe, por me ekipin ku ndodhej nuk e kishte fituar ende gjithë dashurinë e tifozëve shqiptarë. Kritika e vetme në ato momente ishte marrja e Veselit, disi i panjohur për ne, ndërsa në vendin e tij kërkohej Milot Rashica. Jo për kontribut të dhënë me Kombëtaren, pasi deri në ato momente ishte inekzistent në fushë, por për hir të së ardhmes premtuese.

Në momentin kur tre lojtarë zgjodhën që të largoheshin te Kosova dhe Gjimshiti nuk e ndërroi zgjedhjen e tij, Berati hyri në zemrat e të gjithë tifozëve pasi nuk u “hakmor” ndaj De Biazit dhe dalloi mbi të tjerët. Pas disa kohësh do të niste edhe rritja e tij sportive me Atalantën, teksa kishte arritur kulmin në aspektin moral te Kombëtarja, për t’u kthyer në një lider shpirtëror te kuqezinjtë.

Më pas tema e diskutimit kaloi në një tjetër nivel: “Ahhh, De Biazi, çfarë na bëre, Milot Rashica”. Sulmuesi shqiptar po shënonte thuajse në çdo ndeshje të nivelit të lartë në Bundesligë me Werder Bremen, po tundte rrjetën e Bayern Munchen dhe Dortmund. Mjaftoi një periudhë jo e mirë te Werderi dhe kalimi te Norëich, ku pavarësisht paraqitjeve positive nuk ka arritur ende që të shënojë golin e parë, që kjo temë të harrohej dhe kurrsesi të mos vendosej në diskutim.

Herolind Shala nuk e arriti kurrë një pikë kulmore të karrierës, ndërsa Berat Gjimshiti është fatmirësisht pjesë e Shqipërisë, më e rëndësishmja madje. E kështu, i fundit në listë mbetet Amir Rrahmani. Një shpërthim i vonë për ish-mbrojtësin e Partizanit që tanimë luan përkrahë Kulibali te Napoli që kërkon titullin kampion në Serinë A.

Pas thuajse 6 vitesh histori, është vërtet qesharake, por sërish po kthehen të njëjtat diskutime: “Ahh De Biazi, çfarë na bëre, Amir Rrahmani”. Megjithëse nëse do të kthehemi pak pas në kohë do të kuptojmë se Shqipëria e asaj periudhe nuk ka pasur kurrsesi vend për Rrahmanin në formacionin titullar, kur dyshja Cana-Mavraj ishte shtylla e pakalueshme dhe me një Ajeti që u kthye në “ministrin e mbrojtjes” asokohe. Askush nuk ngrinte dyshime të tilla për formacionin.

E në momentin që Rrahmani do të ulet disi në shkëlqimin e tij pas një farë kohe, do të kuptohet realisht se në fund të fundit, pavarësisht zgjedhjeve që De Biazi bëri dhe që në fund la disa të pakënaqur, ishte njeriu që na drejtoi te suksesi. Në ato momente fjalët do të ndryshojnë, për të marrë tjetër kuptim: “De Biazi, çfarë na paske bërë”! Ndoshta një “FALEMINDERIT” do të kursehet sërish, për sa kohë edhe vetë Qeveria zgjodhi që të telefononte italianin dhe t’i thoshte se duhej të kthente pasaportën diplomatike që i kishte dhënë për dërgimin në Europian. Heronjtë ishin kthyer papritur në zero!

Nëse ata djem që ishin pa emër në Europë na dërguan kaq lartë, kjo do të shërbej si shembulli dhe motivimi më i mirë për grupin aktual të Kombëtares që luan mes ekipeve më të mira në Europë. Shpeshherë në media vlerësimet kanë qenë përtej maksimales, por ato që nuk duhen harruar janë fjalët domethënëse të Altin Lalës për “Sport Ekspres”: “A janë këta lojtarët aktual të Shqipërisë më të mirët që kemi pasur? Le t’i shohim në fushë, në 2016 kemi qenë në Europian”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *