Milani lëshon terren në kryesim, teksa ka humbur përballë rivalit direkt, Napoli. Kuqezinjtë pësuan një gol në minutën e 5-të nga goditja e këndit, teksa Elmas gjunjëzoi lojtarët e Milanit. Me Ibrahimoviç në sulm, kuqezinjtë e kishin mjaft të vështirë për të finalizuar aksionet. Suedezi humbi dy raste flagrante, në minutën e 49-të dhe të 85-të që i mohuan golin e barazimit Milanit. Madje edhe në golin e pësuar, suedezi do të ishte protagonist në një konflikt me shokun e ekipit.
Ibrahimovic ka qëndruar tërësisht statik në zonë dhe pa lëvizur pas një goditje këndi, por i ka kërkuar llogari Krunic, që kishte fare pak faj në momentin e pësimit të golit. Nga ana tjetër, shoku i ekipit nuk e ka përtuar përgjigjen ndaj “Zotit”. Në fundin e takimit, Kessie gjen rrjetën, por fatkeqësisht për të, goli u anullua me VAR. Milani humb tre pikë mjaft të rëndësishme dhe diferenca me Interin thellohet në 4 pikë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/