Një vendim i papritur ka ardhur sot në mbrëmje nga Durrësi. Teuta ka aplikuar përsëri rrokardën në stolin e trajnerit. Arapi hap krahun dhe i dorëzon vendin përsëri Edi Martinit. Klubi ka reflektuar në këto javë dhe presidenti Edmond Hasanbelli ka vendosur përfundimisht të rikthejë trajnerin kampion në krye të skuadrës.
Ndërkohë Renato Arapi do të shkojë përsëri në rolin e drejtorit sportiv. Një vendim ky që vjen si rrufe në qiell të hapur nga klubi durrsak, teksa Arapi ishte duke bërë mirë në debutimin e tij si trajner. Në tre ndeshje që drejtoi Teutën, ish-kapiteni i tyre ka siguruar 2 barazime me Kukësin dhe Vllazninë dhe një fitore me Dinamon.
“Edi Martini është rikthyer sërish në krye të stolit të Teutës. Vendimi është marrë sot në mbrëmje nga presidenti i K.F Teuta Z.Edmond Hasanbelli. Renato Arapi do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit të Teutës dhe do të rikthehet në pozicionin e drejtorit sportiv”, njofton klubi i Teutës në faqen zyrtare në “Facebook”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/