Kombëtarja shqiptare e futsallës është njohur ditën e sotme me kundërshtarët që do të ketë përballë në Paraeliminatoret e Kupës së Botës së Futsallit 2024. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, është shortuar në Grupin E dhe përballë do të ketë Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.
Turneu paraeliminator do të zhvillohet në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill. Verdheblutë janë përzgjedhur si organizatorë të turneut. Sipas rregullores së publikuar më parë, në këtë fazën kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi.
Kuqezinjtë kaluan për herë të parë edicionin e shkuar në Raundin Elitë të eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke shënuar një sukses të rëndësishëm. Pas shortit, i kontaktuar nga fshf.org, trajneri Resuli u shpreh se “shorti është relativisht i vështirë, por ne jemi të detyruar të luftojmë fort për kualifikimin. Skuadra ka pasur rritje vitet e fundit dhe uroj që kjo të konfirmohet edhe në këtë edicion eliminator”.