Pepe Reina ishte çudia e madhe te Lacio. Spanjolli erdhi në kampin bardhekaltër për të ndihmuar skuadrën në dhomën e zhveshjes dhe me qëllimin për të rritur më shumë Strakoshën, por në të vërtetë ndodhi e kundërta. Reina uli në stol si rrallë më parë portierin shqiptar dhe u kthye në titullar të padiskutueshëm te Lacio. Një hierarki kjo që vijon të mbetet e pandryshuar edhe nga Sarri.
Por sa ia ka vlejtur kjo zgjedhje deri më tani? Statistikat nuk gënjejnë dhe ato flasin kundër 39-vjeçarit. Pepe Reina është portieri më i keq në Serinë A. Në 55 goditje në portë, 25 prej tyre kanë përfunduar në rrjetë. Pra e thënë ndryshe, Reina pëson gol në çdo dy goditje në portë.
Një statistikë vërtetë negative kjo që ndoshta mund të rikthejë besimin e munguar te Tomas Strakosha. Shqiptari ka bërë mirë në mundësitë e dhëna në Europa League, ku pas atij gabimi fatal ndaj Gallatasarait, në ndeshjet e tjera ka treguar se i ka aftësitë e duhura për të qenë ai mes shtyllave te skuadra italiane./Sport Ekspres/