Nga Klaudio Ndreca
Kukësi është skuadra që ka surprizuar për mirë në këtë kampionat. Verilindorët kanë marrë në grup shumë futbollistë “të panjohur”, por që janë shndërruar në yjet e Superiores deri në këto javë të para. Trajneri është sekreti, mënyra sesi punon dhe fryma që ka futur në skuadër, për t’i marrë lojtarëve më të mirën.
Gjelbrim Taipi ka dalë në qendër të vëmendjes me mënyrën sesi po paraqitet në mesfushë. Së bashku me vëllain e tij, Shqipërimin, pa harruar edhe De Lukas, kanë vendosur rregull te verilindorët. Ndërkohë në një intervistë për “Sport Ekspres”, Taipi zbulon se gjatë kohës që ishte te St Gallen, atje kanë studiuar mënyrën sesi Skënderbeu u paraqit ndaj Young Boys.
Forma aktuale e Kukësit. E prisje që gjithçka do të shkonte kaq mirë?
Të them të drejtën nuk e kisha menduar asnjëherë që do të kishim një fillim të kampionatit kaq të mirë. Duhet të qendrojmë me këmbë në tokë, asgjë nuk ka mbaruar dhe kampionati tani do të bëhet më i vështirë.
Shumë herë ekipet justifikohen se me lojtarët e rinj, kërkohet shumë kohë ambientimi. Kukësi po provon të kundërtën. A është rast përjashtimi apo kanë të bëjnë cilësitë dhe jo koha?
Në fillim ishin të gjithë skeptik për ne, për ardhjen e shumë lojtarëve të rinj. Në fakt doli e kundërta dhe rezultoi për mirë. Kjo erdhi edhe falë punës së trajnerit, e cila është e mrekullueshme. Normalisht që te ekipi ynë ka cilësi dhe janë të gjithë karaktere të veçanta për t’iu përshtatur lojës tonë.
Te ky Kukës nuk ka yje, por i gjithë grupi shkëlqen. Lojtari i momentit duket të jetë Basha. I shfaq të njëjtat cilësi edhe në stërvitje?
Po normale, ne jemi një grup me shumë cilësi duke filluar nga portieri e deri te i fundit. Nuk ka asnjë xhelozi brenda grupit dhe prandaj po shfaqemi ndryshe nga të tjerët. Basha është një lojtar që po e dëshmon në çdo ndeshje se ka cilësi shumë të mira dhe është i njëjti edhe në stërvitje. Shpresoj se do të vazhdoj kështu deri në fund.
Pa harruar punën tuaj që po vendosni rregull në mesfushë. Keni dominuar shumë ekipe në këtë aspekt, sa e lehtë është për ty të jesh krahas vëllait dhe Lukas?
E kam thënë, i njëjti futbollist kam qenë edhe në vitin e kaluar, por është dashur që t’i bëja tre punët i vetëm në mesfushë, ndërsa tani kam De Lukas që është lojtar shumë i mirë, nuk e humb topin dhe i jep qetësi mesfushës. Është edhe Shqipërimi që po e bën punën në mënyrë të shkëlqyer për thyerjen e aksioneve, presingun lart dhe vrapon shumë. Mua më ngelet që të jap pasimin e fundit dhe e them me shumë bindje se falë tyre, unë po dukem në një moment të mirë në këtë sezon.
Cila mund të jetë “çmenduria” që mund të bësh së bashku me vëllain nëse shpalleni kampion? Ndoshta të njëjtin tatuazh me Kupën dhe vitin?
Nuk e mendoj fare titullin në këtë moment sepse ka shumë kohë. E rëndësishme është që të vazhdojmë kështu dhe në fund duhet t’ia lëmë kohës. Tatuazh? Nuk më pëlqejnë dhe në fakt nuk do të bëj kurrë.
Skënderbeu merret gjithmonë si modeli i Superiores për funksionimin e klubit. A është edhe për ju, sipas mendimit tënd?
Nuk diskutohet që Skënderbeu ka dhënë shumë në futbollin shqiptar dhe në kompeticionet europiane, ka shitur futbollistë në treg europian dhe unë jam i mendimit se çdo ekip duhet ta ndjeki modelin e Skënderbeut të atëhershëm. Duhet t’i jepet kohë trajnerit dhe futbollistëve, suksesi nuk vjen brenda natës.
Mesa dimë, është studiuar nga ekipi juaj në Zvicër mënyra sesi Skënderbeu është mbrojtur ndaj Young Boys?
Po është e vërtet. Ka qenë Skënderbeu që në mesjavë gjatë 2017 ka luajtur kundër Young Boys, ndërsa ne, kur isha unë te St Gallen, do të përballeshim me Young Boys në fundjavë. Një ditë para ndeshjes, kemi analizuar mënyrën sesi Skënderbeu është mbrojtur dhe si ka sulmuar ndaj Young Boys dhe dolëm me sukses. Kjo më bëri që të ndihem shumë mirë sepse ish-shokët e ekipit tim po pyesnin për Skënderbeun, sesi është jeta në Shqipëri, se në cilin qytet ndodhet Skënderbeu. Është një shembull shumë i mirë nga ekipet shqiptare që të arrijnë suksese në Europë. /Sport Ekspres/