Armando Broja është rekuperuar dhe do të jetë gati për duelin e nesërm kundër Norwich-it. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i Southampton-it, i cili në konferencë për shtyp ka deklaruar se janë të gjithë sulmuesit gati, duke ia bërë të vështirë zgjedhjen për këtë repart. Megjithatë Hasenhuttl ka bërë të qartë se do të ketë rotacion, duke rritur kështu shanset për një vend në formacion për Brojën.
“Kam disa alternativa shumë të mira përpara në Broja, Armstrong, Che Adams dhe Nathan Tella. Në dhjetëshe është e njëjta gjë, shumë opsione dhe është e vështirë të gjesh alternativat e duhura. Por kjo është pikërisht ajo që duhet të kem.
Kishim disa probleme, por të gjithë janë në formë, të gjithë janë në fushë. Ata (sulmuesit) të gjithë po punojnë shumë dhe po punojnë shumë për ekipin. Numri i ndeshjeve që ata do të luajnë tani do t’i ndihmojë të përmirësohen. Të gjithë kanë nevojë për ndeshje dhe unë do të përpiqem t’u jap të gjithëve mundësinë për të luajtur. Kemi parë shumë rotacion këtë sezon, pothuajse në çdo pozicion. Ky do të jetë objektivi për javët në vazhdim. Kurrë mos i vini në dyshim, mos e humbni kurrë besimin tek ata. Kjo është gjëja më e rëndësishme.
Unë kam qenë vetë sulmues dhe e di që është normale që ndonjëherë të vish në një situatë ku nuk shënon dhe gjërat ndoshta bëhen pak më të vështira. Kur shënon është gjithmonë e lehtë, paraqitjet në shumicën e kohës janë shumë të mira, dhe nuk mendon shumë për këtë dhe shënon gjatë gjithë kohës, sepse automatikisht futesh në një pozicion ku mund të shënosh”, ka deklaruar Ralph Hasenhuttl./Halit Delibashi-Sport Ekspres/